Lidhje

SHBA-Britani, partneritet i ri për arsimin


Shtetet e Bashkuara dhe Britania njoftuan një partneritet të ri për të nxitur arsimimin e vajzave adoleshente, sidomos në vendet e prekura nga konfliktet dhe krizat.

Gjatë një vizite në Londër të Zonjës së Parë Michelle Obama, të dy vendet njoftuan një partneritet të ri për të rritur cilësnië e jetës në mbarë botën, përmes ndihmës për arsimimin e vajzave.

Në një diskutim lidhur me këtë çështje në Londër, në shkollën Mulberry, zonja Obama tha se nisma e re synon të prekë 62 milionë vajza në mbarë botën, aftësitë e të cilave shkojnë kot, ngaqë nuk marrin arsimimin e nevojshëm.

Të dyja vendet njoftuan të martën se do të shpenzojnë deri në 180 milionë dollarë në pesë vitet e ardhshme për përpjekjet e arsimimit në Republikën Demokratike të Kongos. Përmes një deklarate, Shtëpia e Bardhë tha se një nismë e tillë do ta ndihmojë Kongon të rimëkëmbet nga vite të tëra me vështirësi të mëdha, duke ju referuar konfliktit politik shumëvjeçar në këtë vend.

Në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë thuhet se nga programi pritet të përfitojnë më tepër se 755 mijë vajza të moshës 10-18 vjeç në pesë vitet e ardhshme.

Programi do t’u vijë në ndihmë grave dhe vajzave që aktualisht nuk janë në shkollë; ai do t’i motivojë prindërit dhe komunitetet t’i mbështesin vajzat që të qëndrojnë në shkollë dhe të përmirësojnë metodat materiale dhe të mësimdhënies. Në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë thuhet se në nismën e re të arsimimit të vajzave do të përfshihen edhe Sierra Leone dhe Liberia.

XS
SM
MD
LG