Lidhje

Debati mbi mbylljen e qeverisë dhe borxhin


Senati amerikan pritet të votojë sot mbi një projekt-ligj që synon parandalimin e mbylljes së qeverisë, pas disa ditëve debat mbi ligjin e kujdesit shëndetësor të presidentit Obama, të cilin republikanët në Kongres kanë si objektiv ta bllokojnë. Nëse sot Senatorët e miratojnë projekt-ligjin, ai do t’i kthehet Dhomës së Përfaqësuesve, e cila duhet ta miratojë atë brenda pak ditëve për të shmangur mbylljen e qeverisë.

Përveç tensioneve të larta për shkak të afatit të së hënës, ligjvënësit mund të kalojnë ditë të tjera të vështira, pasi Departamenti amerikan i Thesarit njoftoi se Kongresi duhet gjithashtu të rrisë tavanin e borxhit të vendit brenda datës 17 tetor.

Disa amerikanë e shohin këtë dramë të buxhetit si një përsëritje. Analisti Charlie Cook parashikon se Kongresi në fund do ta financojë qeverinë dhe do të rrisë tavanin e borxhit. Edhe nëse kalon afati kohor me disa ditë, thotë ai, ligjvënësit do të gjejnë një zgjidhje:

"Çështja e mbylljes së qeverisë dhe e tavanit të borxhit është si një film. Ne e dimë se si do të përfundojë, thjesht nuk dimë se sa agonik dhe se sa dramatik do të jetë."

Reforma e kujdesit shëndetësor e propozuar nga Presidenti Obama është në thelb të mosmarrëveshjeve, konkretisht roli që qeveria federale duhet të ketë në ofrimin e sigurimeve shëndetësore për miliona amerikanë.

Dje, zoti Obama foli me tallje ndaj republikanëve të cilët vazhdojnë ta kundërshtojnë ligjin. Ai akuzoi opozitën republikane se po përpiqet t'i bëjë shantazh për të shfuqizuar ose për t’i hequr fondet ligjit të kujdesit shëndetësor duke kërcënuar për një mbyllje të pjesshe të qeverisë që nga data 1 tetor.

Ndërkohë udhëheqësi republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, John Boehner, tha se nuk ka gjasa që shumica republikane aty të miratojë një ligj të përkohshëm për shpenzimet që do të financojë qeverinë përtej së martës. Nëse nuk arrihet asnjë marrëveshje deri në 17 tetor, SHBA-ja nuk do të mund të paguante borxhin e saj, për herë të parë.

Dhoma e Përfaqësuesve pritet të miratojë pas pak ditësh një ligj që do të lejonte Departamentin e Thesarit të rriste autoritetin e vet të huamarrjes për të paguar borxhet e qeverisë, duke imponuar një shtyrje një vjeçare të ligjit të kujdesit shëndetësor, i cili parashikon qasjen në sistem të miliona amerikanëve aktualisht të pasiguruar.
XS
SM
MD
LG