Lidhje

Katolikët në SHBA, Papa dhe Kisha


Gjatë dy viteve të papatit të tij, Papa Françesku ka bërë reforma në Vatikan dhe me pikëpamjet e tij për çështjet sociale ka vendosur mëshirën dhe faljen në qendër të vëmendjes. Sondazhet në SHBA tregojnë se ai vazhdon të gëzojë popullaritet të madh jo vetëm ndër katolikët, por edhe tek njerëz të besimeve të tjera. Por, disa anëtarë konservatorë të Kishës vënë në dyshimvatorë të Kishës, vënë në dyshim dyshim mendimete besimeve të tjera.pullaritet të madhet e tij për çështje sociale ka vendosur m pikëpamjet e tij dhe madje mendojnë se ai po i tejkalon kompentencat e kreut të Kishës Katolike.

Një studim i Institutit për Studime Publike Fetare tregon se Papa Françesku vazhdon të ketë popullaritet në publikun amerikan; 67% kanë mendim pozitiv për Papën. Një studim i mëparshëm i Qendrës Kërkimore Pew, konkludoi se 90% e katolikëve në SHBA e mbështesin Papën.

Aftësitë e tij baritore

Shumë katolikë amerikanë ndjehen të prekur prej modestisë dhe cilësive baritore të Papës.

Një sondazh i Qendrës Pew vitin e kaluar tregoi se 25% e katolikëve amerikanë ndjehen më të frymëzuar me besimin e tyre krahasuar me një vit më parë, ndërsa vetëm 11% u deklaruan më pak të frymëzuar.

Jeanne Baumann nga Minnesota thotë se ndjehet e prekur që Papa “zgjedh të jetojë sipas udhëzimeve të ungjillit dhe fjalëve të Zotit, dhe jo sipas opinioneve dhe rregullave të njerëzve... E përshtat jetën e tij, shërbimin pastoral dhe papatin sipas modelit të Jezu Krishtit. Ai është i dashur, zemërbutë, si dhe i ashpër kur duhet, ndërkohë që i trajton njerëzit si të rritur që kanë logjikën dhe mendimet e tyre.”

Zonja Baumann thotë se natyra e hapur e Papës po ndryshon perceptimin e katoliçizmit si një fe e rreptë dhe ngurtë.

“Jo të gjithë katolikët mendojnë njësoj, jetojnë njësoj, apo interpretojnë njësoj besimin e tyre. Nuk mund të paramendohet çdo gjë për mua vetëm pse jam pagëzuar katolike, e rritur katolike, dhe që ende besoj një Zot të fuqishëm, të mëshirshëm dhe të drejtë, si dhe meqë shkoj ende në meshë rregullisht”, - thotë ajo.

Simone Dextraze nga Hollivudi i Kalifornisë e konsideron veten një katolike të devotshme. “Më kënaq kur shoh se sa krahëhapur, i ngrohtë dhe i dashur është Papa Françesku. Po ndikon edhe tek mendimet e njerëzve anti-katolikë, duke i udhëhequr drej një pranimi të katoliçizmit. E shikoj ndryshimin edhe tek miqtë dhe familja ime.”

Zonja Dextraze mendon se deklaratat e Papës janë të “mirëpritura” dhe shpreson se do të sjellin “më shumë njerëz drejt besimit katolik”.

‘Një zhvendosje drejt së majtës’

Ka edhe shumë katolikë që mendojnë se Papa e ka tepruar, në veçanti me kritikat e tij ndaj kapitalizmit, të cilin e ka quajtur “një diktaturë të fshehur”, e cila “dënon dhe skllavëron burrat dhe gratë”.

Dave Docherty nga Woodstock, Georgia, thotë se ndjehet i pikëlluar nga “zhvendosja majtas e qëndrimeve të Vatikanit”.

“Papa Françesku nuk vlerëson të mirat e tregjeve të lira, ndoshta sepse nuk e ka parë një të tillë të funksionojë në Argjentinë. Ky Papë duket se e shikon socializmin si një të mirë të përgjithshme, dhe jo si një hap drejt shtypjes totalitare”, shton ai. “Gjithashtu, Papa Françesku duket se nuk ka vetëdijen e shëndetshme të paraardhësit të tij për rrezikun e Islamit.”

Duke e konsideruar veten një katolik tradicional, zoti Docherty thotë se ndjen një lidhje më të fortë me Papa Benediktin XVI, një teolog i afirmuar që e paraqiste fenë në një mënyrë të qartë dhe ortodokse.

Geraldine O’Mahoney Hildreth, nga Florida, thotë se “Papa Françesku është plot dashuri dhe besim, por mendoj se shpesh flet pa u menduar, madje nganjëherë edhe shkruan pa menduar për pasojat që mund të shkaktojë.”

Zonja Hildreth citon letrën e Papës për faljen gjatë Vitit të Mëshirës, të grave që kanë abortuar, ose për thjeshtëzimin e proçesit të martesës. “E duartrokas qëllimin e tij pa rezerva”, thotë ajo, por shton se letrat e tij lënë shumë pyetje pa përgjigje.

“Do të kishte qenë më mirë nëse do të kishte sqaruar çdo gjë për të mos i lënë njerëzit të çoroditur”, - thotë zonja Hildreth, e cila e përkufizon veten si konservatore për aspektet jetësore dhe ato liturgjike, por njëkohësisht edhe “majtiste” për çështjet sociale, si p.sh. ekologjia apo të drejtat e punëtorëve.

Mësimet e Kishës

Disa katolikë amerikanë mendojnë se fakti që Papa Françesku ngre dhe diskuton çështje sociale, ngjall shpresa se kisha mund të ndryshojë në të ardhmen. Përkundrazi, të tjerë katolikë konservatorë fajësojnë Papën se ka dështuar të theksojë mësimet e kishës për këto çështje.

Mary Sharon Smith nga Kalifornia, thotë se përpara se ai të bëhej Papë kishte menduar “seriozisht largimin nga kisha për shkak të disa përgjigjeve të dhimbshme të Vatikanit për një sërë çështjesh... Ndjeja se qëndrimit të kishës i mungonte dashuria dhe se ishte krejtësisht kundër asaj ç’mund të bënte Jezusi nëse do të ishte mbi këtë tokë tani.”

Sidoqoftë, thotë ajo, “Papa Françesku ka ndryshuar pa dyshim mendimin tim për kishën. Nuk po e shqyrtoj më largimin tim. Jam shumë e kënaqur me mënyrën se si po ecin gjërat në shtegun e dashurisë së Testamentit të Ri.”

Meghan, një katolike nga Miçigan që nuk është ndjekëse e rregullt, thotë se u largua nga kisha në rininë e saj të hershme “për shkak se ndjeva që nuk ishte e ndershme të paragjykoja dhe përjashtoja të tjerët, në veçanti njerëzit e besimeve të tjera, homoseksualët dhe lezbiket, apo edhe të divorcuarit.”

Megjithëse është ndjerë më e tërhequr nga Papa Gjon Pali II, ajo thotë se e ndjen Papa Françeskun si “një fllad i freskët që po e lëviz kishën përpara dhe po e bën më të ndërlidhur me jetën moderne”.

Michael Incavo, një student 21-vjeçar në Universitetin Baylor të Teksasit, mendon se brezi i tij e konsideron çështjen e tanishme të martesës së homoseksualëve të ngjashme me rëndësinë e martesave ndërmjet racave dikur.

“Mendoj se Papa Françesku, pa ndryshuar mësimet e kishës, ka krijuar mentalitetin e duhur që i mungonte kishës, e cila refuzonte dashurinë dhe pranimin e njerëzve për shkak të veprimeve të tyre. Tashmë ata shikohen thjesht si njerëz, dhe jo vetëm si mëkatarë.”

‘Mesazhi i përfshirjes”

Studenti Michael shton: “Shpresoj që Papa ta vazhdojë mesazhin e tij të përfshirjes. Mendoj se ky është guri i themelit të besimit katolik... mesazhi i dashurisë dhe i faljes.”

Gjatë vizitës së tij në Filadelfia, Papa Françesku do të marrë pjesë në “Takimin botëror të familjeve”, ku do të diskutohen sfidat me të cilat përballen familjet moderne.

Kjo konferencë do të mbahet vetëm një muaj përpara Sinodit të Peshkopëve për Familjen, që do të zhvillohet në Vatikan në datat 4 – 25 tetor.

Peshkopët do të diskutojnë tre tema të nxehta: sa mikpritëse do të jetë kisha me homoseksualët, lesbiket, biseksualët dhe transgjinorët (LGBT); sa pozitive do të tregohet kisha ndaj marrëdhënieve “jo të rregullta”, si p.sh. ndaj atyre që bashkëjetojnë, por që nuk janë të martuar; si dhe, nëse katolikët e divorcuar do të munden të kungohen pa iu anulluar paraprakisht martesa.

Një grua 68-vjeçare që e përshkruan veten si një aktiviste të përkushtuar katolike, thotë se “e dashuroj kishën për shumë arsye dhe pikëllohem kur shoh kaq shumë të rinj, përfshirë fëmijët e mi, ta shmangin kishën për shkak se ajo nuk prononcohet për shumë çështje të rëndësishme për ta.”

Megjithëse “nuk pres që kisha të jetë në sinkron të plotë me botën moderne, por dua që ajo të trajtojë çështjet e botës moderne – dëmtimin mjedisor, armët bërthamore, konsumatorizmin etj, si dhe besimin”, thotë ajo.

Disa kërkojnë edhe më shumë

Katolikë të tjerë jo-praktikantë thonë se kishës dhe Papa Françeskut u duhet të bëjnë ende një rrugë të gjatë përpara se njerëzit të rikthehen në stolat e kishës.

Meghan, nga Miçigani, thotë se “kam ndjenja të përziera nëse duhet të kthehem në kishë dhe të bëhem sërish një katolike praktikante. Struktura dhe ritualet janë të bukura dhe qetësuese. Por, mendimet e tyre për marrëdhëniet janë prapa kohe.”

Ajo shton se “do të doja ta shikoja Papën të marrë një rol më aktiv si udhëheqës botëror dhe të trajtojë krizat e ndryshme nëpër botë... Imagjinoni efektin që do të kishte nëse ai do t’u bënte thirrje katolikëve në SHBA për të ndihmuar kundër dhunës së armëve, apo për krizën e refugjatëve në Evropë.”

“Deklaratat e tij për mjedisin, faljen e grave që kanë abortuar dhe përfshirjen e homoseksualëve, janë mendime shumë përparimtare për kishën. Jam kurioze të shoh se si do të zbatohen në praktikë”, - shton Meghan.

John Godzac, një 65-vjeçar nga Kolorado, thotë se “jam një katolik i larguar sepse ndjeva se kisha e kishte humbur drejtimin. Pashë se i mbante njerëzit nëpërmjet frikës dhe nuk e pranonte ndryshimin. Kishte ngecur në pozitat e të thënit ‘jo’ ndaj çdo ndryshimi social, dhe udhëheqja e kishës dukej edhe më konservatore se sa priftërinjtë.”

Zoti Godzac thotë se “lëvizja e Papa Françeskut drejt një përfshirjeje më të madhe, më ka bërë ta marr edhe njëherë në konsideratë katoliçizmin, dhe të parafytyroj një rol për veten drejt një ndryshimi pozitiv”.

Ka megjithatë ende “shumë për t’u bërë. Mendoni p.sh. për rolin e grave në kishë, apo abuzimet nga priftërinjtë, apo përqasjen ndaj divorcit dhe martesës... Ideja që Papa Françesku po mundohet të përqëndrohet tek nevojat e njerëzve dhe tek realiteti, më frymëzon personalisht”, shton ai.

Një murgeshë françeskane thotë se mendon se Papa Françesku “do të ndreqë shumë nga padrejtësitë që ka shkaktuar udhëheqja e kishës ndër vite” dhe se në veçanti shpreson që do të ekzaminohet edhe udhëheqja e murgeshave në Amerikë.

“Françesku po mundohet shumë që klerikët dhe peshkopët ta pranojnë rolin e tyre të mëshirës, përkushtimit dhe kujdesit për njerëzit e Zotit, dhe jo rolin e deritanishëm të ‘gjykatësve’, gardianëve të ortodoksisë, apo të menaxherëve të shkëputur të një sistemi të mbyllur”, - thotë ajo.

‘Laudato Si’

Në muajin qershor, Papa Françesku botoi enciklikën e tij 192-faqëshe, të titulluar “Laudato Si” (“Lëvduar qoftë”), duke u bërë kështu Papa i parë që përdor të dhëna shkencore në një dokument të rëndësishëm fetar. Ai e quajti ngrohjen globale një problem të shkaktuar përgjithësisht nga njeriu.

Ai gjithashtu denoncoi një sistem ekonomik botëror “me strukturë të deformuar” dhe një rendje të pandalur pas fitimit, duke shfrytëzuar të varfërit dhe që po rrezikon të krijojë një botë të mbuluar me mbeturina.

Kritikët e akuzojnë Papën se e ka tepruar dhe se është futur në arenën politike.

Kandidati presidencial republikan, Jeb Bush, një katolik i devotshëm, tha në qershor se “nuk e marr politikën time ekonomike prej peshkopëve, kardinalëve, apo prej Papës. Mendoj se feja duhet të përpiqet të na bëjë njerëz më të mirë dhe të merret më pak me gjëra që përfundojnë në rrymën politike.”

Të tjerë kandidatë, si Docherty, thonë se “ngrohja globale është mashtrimi më i madh shkencor në histori. Korrupsioni në fonde që jep qeveria për ata që do të nxjerrin konkluzione të tilla është tronditës.” Ai shtoi se “fakti që Papa ra në këtë kurth, tregon se ai është naiv dhe i bën qejfin mediave evropiane”.

John J. O’Keefe, profesor i teologjisë në Universitetin Creighton në Nebraska, përkundrazi thotë se çështja e klimës është “çështja më morale e kohës... Për njerëzit që vërtet shqetësohen për mjedisin, kjo enciklikë ishte shumë e mirëpritur.”

Ai vetë thotë se u përlot kur e lexoi, pasi Papa “po thoshte gjëra për të cilat unë vërtet ndjej. Ishte shumë e dobishme dhe më preku.”

Edhe papë të tjerë, si Gjon Pali II dhe Benedikti XVI, kanë bërë thirrje për një trajtim më të mirë të “krijimit të Zotit”.

“Efekti tek të varfërit”

Por zoti O’Keefe thotë se ka edhe shumë aspekte të tjera që e bëjnë unike enciklikën e Papës që i drejtohet “të gjithë njerëzve”, dhe që nuk fokusohet vetëm tek ndryshimet klimatike, por që “ndërlidh çështjen klimatike me atë ekologjike, si dhe mësimet e kishës katolike me ndikimin tek të varfërit”.

Disa komentues konservatorë në SHBA e kanë akuzuar Papa Françeskun për marksizëm apo simpatira socialiste, për shkak të kritikave të tij të shpeshta të sistemeve ekonomike që “adhurojnë” paranë dhe jo njerëzit, dhe për dështimet e teorive ekonomike. Papa ka thanë se ai predikon ungjillin dhe jo komunizmin, kur shpalos pikëpamjet e tij për kapitalizmin e shfrenuar.

Profesorja e ekonomisë, Dr. Martha Cruz, e Universitetit Katolik të Amerikës, në Uashington, thotë se prejardhja e Papës, i lindur në Buenos Aires me emrin Jorge Mario Bergoglio, është një tregues për pikëpamjet e tij për ekonominë.

I prejardhur nga Amerika Latine dhe qëndrimi afër të varfërve i Papës, “jep një mesazh të qartë se duhet të kujdesemi për ata që janë në nevojë”, thotë zonja Cruz.

Kur e shikon drejtpërsëdrejti varfërinë, nuk mund të qëndrosh indiferent. “Mendoj se të qenit nga Amerika Latine, të bën të përjetosh varfërinë nga afër çdo ditë, dhe është e pamundur ta injorosh”, - thotë zonja Cruz, e cila është nga Ekuadori i Amerikës Latine.

Ajo thotë se njerëzit e vendeve me ekonomi më të avancuara që nuk e kanë parë varfërinë drejtpërsëdrejti, mendojnë se nuk është ky realiteti. “Varfëria është një skenar shumë mizor, me shumë njerëz që vuajnë. Nëse nuk e ke parë vetë, është e vështirë ta kuptosh dhe ta parafytyrosh”, shton ajo.

Zonja Cruz i shikon letrat apostolike dhe enciklikën e Papës si një thirrje për të vepruar.

“Më pëlqen t’u kujtoj studentëve të mi, se ekonomia është në fund të fundit një shkencë sociale... se ne duhet të bashkëveprojmë me njerëzit dhe të mundohemi të gjejmë zgjidhje për sfidat me të cilat ata përballen. Mendoj se thirrja e Papës për të mos harruar të varfërit, për t’u kujdesur për emigrantët dhe njerëzit që vuajnë, u drejtohet atyre që u mungon informacioni për të marrë vendimet e duhura”, - thotë ajo. “Të gjitha këto janë pjesë e shkencës së ekonomisë.”

Mary Kandray nga Pensilvania, thotë se thirrja e Papës për t’u shërbyer të varfërve “është thelbi i asaj çka besojmë si të krishterë, dhe që deri tani është injoruar nga udhëheqësit katolikë”.

XS
SM
MD
LG