Lidhje

Ratifikohet marrëveshja për klimën


Shtetet e Bashkuara dhe Kina kanë zyrtarizuar ratifikimin e Marrëveshjes së Parisit, një hap i rëndësishëm i ndotësve më të mëdhenj të botës, që synon ta verë në zbatim këtë vit marrëveshjen e ndryshimeve klimatike.

Presidenti amerikan Barack Obama dhe ai kinez Xi Jinping e bënë të njohur marrëveshjen gjatë një takimi në Hangzhou, ku po mbahet takimi i këtij viti i G-20-ës.

“Kjo nuk është një luftë që mund ta zhvillojë një vend i vetëm, pavarësisht se sa i fuqishëm është. Një ditë do ta shohim këtë vendim si momentin kur më në fund ne vendosëm ta shpëtojmë planetin tonë,”- tha Presidenti Obama.

Presidenti kinez Xi tha se shpresonte që nga ky vendim të përfitojnë të gjithë. “Përgjigja jonë ndaj ndryshimeve klimatike bart mbi vete të ardhmen e popullit tonë dhe mirëqenien e njerëzimit.”- tha ai.

Media shtetërore në Kinë njoftoi sot në mëngjes se Kongresi Kombëtar i vendit ka miratuar një vendim në përfundim të takimit një-javor. Një raport nga Agjencia shtetërore e Lajmeve HSINHUA theksoi përkushtimin e Kinës për t’iu kundërvënë ngrohjes globale dhe për të luajtur një rol më të madh në trajtimin e ndryshimeve klimatike.

Një këshilltar i afërt i Presidentit Obama tha se njoftimi nga Pekini dhe Washingtoni për marrëveshjen i hap rrugën zbatimit të Marrëveshjes së Parisit këtë vit.

Në dhjetor të vitit të kaluar negociatorë nga 179 vende të botës dhe Bashkimi Europian ranë dakord për detajet përfundimtare të Marrëveshjes së Parisit, por deri tani vetëm 23 vende e kanë ratifikuar atë. Që të hyjë në zbatim, marrëveshjen duhet ta miratojnë të paktën 55 vende, ato që janë përgjegjëse për emetimin e 55 për qind të gazeve të efektit serrë.

Ratifikimi marrëveshjes nga dy prej ndotësve më të mëdhenj të mjedisit është një hap i madh përpara: Kina është përgjegjëse për çlirimin në atmosferë e 25 për qind të gazeve, ndërsa SHBA 15 për qind.

Përveçse i dorëzuan sot marrëveshjen Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki-moon, Pekini dhe Washingtoni po ashtu kanë në plan të publikojnë një dokument që përcakton vazhdimin e përpjekjeve nga të dy vendet, përtej marrëveshjes së Parisit.,

XS
SM
MD
LG