Lidhje

Bisedimet SHBA-Kinë, zyrtarët amerikanë optimistë


Ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe Kina fillojnë sot raundin e pestë të dialogut strategjik dhe ekonomik, zyrtarë të lartë amerikanë janë optimistë se të dyja palët do të bien dakord të bashkëpunojnë në një sërë çështjesh strategjike. Por analistët thonë se mosmarrëveshje të mëdha mund të dalin në diskutimet e çështjeve ekonomike, fushë në të cilën konkurenca e ashpër mes dy vendeve ka dalë në pah nga debatet lidhur me sigurinë kibernetike.

Raundi i sotëm i bisedimeve zhvillohet ndërkohë që tregu i punës në Shtetet e Bashkuara po jep shenja përmirësimi të vazhdueshëm, ndërsa ekonomia e Kinës duket se po përkeqësohet.

George Haley, autor i dy librave mbi Kinën, thotë se industritë kineze kanë kapacitete shumë të mëdha.

“Të marrim për shembull industrinë e paneleve diellorë. Kapaciteti i prodhimit të Kinës është aktualisht 200 për qind se sa kërkesa botërore. Çdo industri e tyre ka një kapacitet prej 20 ose 30 për qind më të madh pasi ato mbështeten nga qeveria si çeliku, pjesët e makinave, letra apo kimikatet”.

Kapacitetet tepër të mëdha, rënia e kërkesës dhe papunësia e lartë mund të përbëjnë kërcënim real ndaj stabilitetit ekonomik dhe shoqëror, tani që kompanitë kineze përballen me sfida në rritje për të siguruar fitime:

“Objektivi i Kinës është vazhdimi i aksesit në tregjet botërore sepse pa këto tregje kompanive kineze do t’u duhet të përqëndrohen në tregjet e brendshme të Kinës. Ky kthim i kompanive kineze, të orientuara nga eksportet, do të jetë shumë i vështirë në mos gati i pamundur”.

Zoti Wei dhe të tjerë besojnë se simptomat e problemeve të tanishme ekonomike të Kinës i kanë rrënjët në të ashtuquajturin “model kinez i zhvillimit", i cili drejtohet dhe kontrollohet kryesisht nga shteti në vend që të mbështetet tek nismat e qytetarëve dhe mekanizmat e tregut.

Ndërkohë, akuzat për pjesëmarrjen e shtetit kinez në spiunazhin ekonomik nëpërmjet ndërhyrjeve kibernetike kanë qënë në qendër të ankesave të Uashingtonit ndaj Pekinit që prej fillimit të këtij viti. Ja ç'thotë Michael Hayden ish drejtor i CIA dhe i Agjencisë Kombëtare të Zbulimit.

“Le të krahasojmë spiunazhin amerikan me spiunazhin kinez: Unë mund të them me bindje, pasi kam drejtuar dy agjenci spiunazhi, se ne vjedhim sekrete për të ruajtur lirinë dhe sigurinë e amerikanëve. Ne nuk vjedhim sekrete për të pasuruar amerikanët. Kinezët nuk mund ta thonë këtë për aktivitetin e tyre të spiunazhit”.

Në takimet dypalëshe që u zhvilluan para një muaji në Kaliforni, Presidenti Xi Jinping u shpreh me tone optimiste lidhur me mundësinë e bashkëpunimit mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës në sigurinë kibernetike.

“Nëpërmjet bashkëpunimit serioz, dyshimet dhe mosbesimi mund të zhduken. Në të ardhmen, bashkëpunimi në fushën e sigurisë informatike mund të bëhet një pikë e rëndësishme në marrëdhëniet dypalëshe”.

Por analistët thonë se do të jetë e vështirë që siguria kibernetike të bëhet një “pikë e rëndësishme” në marrëdhëniet amerikano-kineze dhe që investimet e huaja në Kinë të mos ndryshojnë nëse Pekini nuk heq dorë nga spiunazhi dhe vjedhja në sektorin aekonomik.

“Nëse provohet se pala kineze angazhohet në veprimtari ilegale, shfrytëzuese dhe mashtruese, ndërsa ata premtojnë se nuk angazhohen në veprimtari të tilla, kjo do të ndikonte në vendimet investuese të shumë kompanive në Kinë, madje do të ndikonte edhe mbi vendimet e Kongresit amerikan”.

Në të njëjtën kohë, analistët thonë se Shtetet e Bashkuara janë të vendosura të mbrojnë dhe të ruajnë avantazhin e tyre konkurues në shkencë dhe teknologji.

“Duke u nisur nga pozita ekonomike e Shteteve të Bashkuara, nuk ka kuptim të hiqet dorë nga teknologjia, pasi ky është një avantazh i vendit në fushën e konkurencës dhe përballet me sfida të mëdha në gjithë botën”.

Nën presidenti amerikan Joe Biden hap sot dialogun strategjik dhe ekonomik, i cili përfundon të enjten me një deklaratë të përbashkët.

XS
SM
MD
LG