Lidhje

Një delegacion i ligjvënësve amerikanë në Kosovë


Një delegacion ligjvënësin amerikan të të dyja partive, republikane e demokrate, po qëndron në Kosovë, një vizitë që synon të shprehë mbështetjen amerikane.

Delegacioni i drejtuar nga ligjvënësi republikan Peter Roskam, po takohet me kryeministrin, kryetarin e parlamentit, një numër ligjvënësish të Kosovës, pjesëtarë të shoqërisë civile dhe do të takojë edhe pjesëtarët e forcave paqeruajtëse amerikane. Ligjvënësi Roskam drejton "Partneritetin e Dhomës për Demokraci" (HDP), një komision dypartiak me 20 anëtarë nga Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-ve që punon drejtpërdrejt me shtetet partnere në gjithë botën për të mbështetur zhvillimin e institucioneve ligjvënëse efikase e të pavarura.

Në një njoftim të ambasadës amerikane në Prishtinë thuhet se "delegacioni ka kënaqësinë që vjen në Kosovë kaq afër Ditës së Pavarësisë së Kosovës, me qëllim që të ritheksojë përkrahjen e fuqishme dypartiake të Kongresit të SHBA-ve. Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të ndihmuar Kosovën që të përparojë në rrugën drejt integrimit evropian duke forcuar institucionet si parlamenti dhe duke thelluar marrëdhëniet dypalëshe", thuhet në njoftim.

Në një njoftim të zyrës së kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa, i cili u takua me ligjvënësit amerikan thuhet se ata u interesuan për zhvillimet e ndryshme që lidhen me jetën parlamentare, zhvillimin ekonomik, luftën kundër dukurive negative siç janë radikalizmi e terrorizmi dhe çështje të tjera.

Ligjvënësi Peter Roskam, thuhet në komunikatë, theksoi "përkrahjen e mëtejme të SHBA-ve për Kosovën, duke u shprehur i impresionuar me progresin e deritashëm të Kosovës duke pas parasysh se ku ka qenë para pak vitesh dhe ku ka arritur tani".

Ai po ashtu, inkurajoi Qeverinë e Kosovës "që të vazhdojë përkushtimin e saj që hap pas hapi të avancohet zhvillimi i gjithanshëm dhe që Kosova të vazhdojë të jetë faktor i stabilitetit në rajon dhe më gjerë".

Kryeministri Mustafa me këtë rast theksoi se të gjitha të arriturat në Kosovë "janë rezultat i përkushtimit të qytetarëve të Kosovës dhe përkrahjes së pazëvendësueshme që SHBA-të kanë dhënë dhe po vazhdojnë të japin për Kosovën.

Qeveria e Kosovës është plotësisht e përkushtuar që të vazhdojë avancimin e të gjitha aspekteve të zhvillimit dhe që në partneritet të përhershëm strategjik me SHBA-të të realizojmë synimet e qytetarëve të Kosovës”, citohet të ketë thënë kryeministri Mustafa.

Kosova shpalli pavarësinë e saj nga Serbia më 17 shkurt të vitit 2008 më mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore te Bashkimit Evropian. Deri tash rreth 113 vende e kanë njohur pavarësinë e saj e cila kundërshtohet nga Serbia.

XS
SM
MD
LG