Lidhje

Ligjvënësit amerikanë theksojnë përkushtimin ndaj Kosovës


Një delegacion i ligjvënësve amerikanë që po qëndron për një vizitë në Prishtinë, siguroi mikpritësit për përkushtimin e Shteteve të Bashkuara ndaj pavarësisë së Kosovës. Gjatë vizitës që ishte e para e një delegacioni të përbërjes së re të Kongresit amerikan, ata u takuan me udhëheqës të lartë, ligjvënës dhe pjesëtarë të shoqërisë civile. Ligjvënësi republikan, Peter Roskam dhe ai demokrat, David Price, në një bisedë më korrespondentin e Zërit të Amerikës në Prishtinë, Besim Abazi, folën edhe për rritjen e autoritarizmit në botë dhe shtimin e ndikimit rus përfshirë edhe Ballkanin perëndimorë.

Delegacioni i ligjvënësve amerikanë në Prishtinë
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:59 0:00

Zëri i Amerikës: Kosova para dy ditësh kremtoi përvjetorin e nëntë të pavarësisë që u shpall me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara. Nga pikëpamja juaj, si e vlerësoni gjendjen në Kosovë?

Peter Roskam: Ekziston një optimizëm për gjendjen aktuale në Kosovë. Nëse kthehemi prapa për të parë udhëtimin të cilën Kosova e ka bërë, për të festuar nëntë vjetorin e pavarësisë në një mjedis shumë të qëndrueshëm, ekonomia po rritet dhe ky është një vend përplot me mundësi. Pra, nuk është pa sfida dhe kjo është nga arsyet që jemi këtu. Kjo është ndalesa e parë e ndonjë delegacioni të Kongresit. Kosova është endi i parë ku kemi ardhur. Përse? Sepse ne e kemi kuptuar sa e rëndësishme dhe sa thelbësore është Kosova dhe puna e qytetarëve të saj për të mbajtur vendin të bashkuar dhe për të ecur përpara drejt së ardhmes së qëndrueshme dhe përparimtare.

Zëri i Amerikës: A do të thotë kjo së qëndrimi i Shteteve të Bashkuara ndaj Kosovës mbetet i pandryshueshëm?

David Price: Absolutisht. Ndjehem shumë i bindur për këtë. Ne kemi pasur politikë të jashtme dypartiake kundrejt Ballkanit dhe Kosovës që nga fillimi i shpërbërjes së Jugosllavisë dhe në fakt është Partneriteti për Demokraci i Dhomës së përfaqësuesve dhe ndër veprimi parlamentar që po bëjmë këtë vizitë. Ne e kemi vizituar Kosovën para shpalljes së pavarësisë, ne punojmë me Maqedoninë, pra ne e kemi parë këtë që nga fillimi dhe kemi pasur bashkëpunim që pas shpalljes së pavarësisë. Kemi pasur bashkëpunim të përzemërt me të gjitha palët në Kosovë. Një nga mënyrat tona është nxitja e gjithëpërfshirjes dhe inkurajimi i përfaqësimit të gjerë në tërë vendin dhe jemi të inkurajuar nga ky përparim. Ne e dimë që aktualisht janë disa vështirësi serioze sa i përket pjesëmarrjes së të gjitha palëve rreth disa çështjeve që janë kokëçarëse. Ne kemi po ashtu vështirësi në çështjet tona dhe ne i kuptojmë ato. Askush nuk pret përsosmëri në qeverisje por ne orvatemi që të bëhet më mirë dhe mendojmë se ky partneritet ishte mjaft i frytshëm.

Zëri i Amerikës: Kosova po përballet me sfida të brendshme dhe të jashtme. Ka një ngecje në bisedimet me Serbinë dhe nuk ka rezultate që janë pritur. Sa është realiste të priten rezultate duke pasur parasysh situatën aktuale në rajon dhe tensionet ndërmjet të dyja vendeve?

Peter Roskam: Mendoj se pritjet janë që njerëzit të jenë të qëndrueshëm, të kenë besim, të mos ngadalësohen dhe të mos dorëzohen, sepse alternativa është e mjerë. Pra, janë duke u ngritur zërat e autoritarizmit nëpër botë, të cilët po i thonë demokracisë, ju jeni të djeshëm, nuk jeni të rëndësishëm, nuk mund të qeverisni dhe të gjeni zgjidhje dhe mendoj që ne të tjerët gjithandej botës që e vlerësojmë lirinë dhe vlerësojmë zërin e secilit që merr pjesë, e dimë se sa e rëndësishme është kjo kohë. Shikoni. Nëse Kosova ia doli nëpër të kaluarën me vështirësi dhe turbullira dhe e ka tejkaluar atë, atëherë ka mundësi si njerëz të ngrihen dhe të përballen me të gjitha sfidat përpara. Ne nuk jemi këtu për të mohuar aspak natyrën e sfidave, por ne jemi këtu për të thënë se ky është një rajon që ja vlen për ta mbështetur dhe Kosova ndodhet mu në qendër të tij. Dhe në rend të parë, e ardhmja e këtij rajoni varet nga qëndrueshmëria këtu dhe nëse njerëzit, siç tha edhe zoti Price, nëse njerëzit arrijnë të bashkohen dhe të kuptojnë që parlamenti është vendi për shembull ku ankesat dhe aspiratat dëgjohen. Askush nuk mund ta marr tërë atë që dëshiron, kjo është jeta, nuk ka asgjë të përkryer përveç parajsës. Me këtë nënkuptojmë që qëndrueshmëria vjen nga institucione të tilla.

David Price: Ne e dimë që Serbia po përballet me disa vendime thelbësore që i ka përpara. Serbia po synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian duke u përpjekur në mënyra të ndryshme për t'u bashkuar me familjen e vendeve demokratike me të drejta të plota dhe për këtë ne jemi të inkurajuar. Po ashtu është e vërtetë që Serbia dhe Kosova kanë një histori të vështirë. Pra, pjesë e marrëveshjes përfundimtare do të duhej të ishte një Kosovë e lirë dhe e begatë dhe me këtë, natyrisht, nënkuptojmë që pakica serbe brenda Kosovës, të ketë të drejta të plotë dhe pjesëmarrje të plotë. Ekziston një zgjidhje këtu që duhet gjetur dhe nuk është aspak befasuese që po ka vështirësi për ta arritur. por jemi optimist dhe ndjehemi të sigurt për mbështetjen e vendit tonë.

Zëri i Amerikës: Duke pasur parasysh disa ndryshime në botë, shumë vëzhgues do të thoshin se Ballkani perëndimorë që është në përpjekje për demokraci dhe sundim të ligjit, që është nën trysninë ruse dhe rrezikun e radikalizmit, ka nevojë për shumë vëmendje të administratës amerikane? Do të pajtoheshit?

Peter Roskam: Mendoj që ka shumë vende përreth botës të cilat kanë nevojë për vëmendjen e administratës amerikane por jo vetëm të saj. E gjithë bota ka nevojë që të njohë mundësitë e saj që në rajone të ndryshme, në veçanti vendet si ne që e vlerësojnë demokracinë dhe zhvillimin e saj dhe e dinë që ka një rrugë drejt qëndrueshmërisë dhe përparimit përfundimtar. E kuptoj që Ballkani ka qenë historikisht një vend i ndërlikuar dhe ne duhet të jemi të kujdesshëm, por mendoj që ka vëmendje. Shtetet e Bashkuara e kuptojnë se e kanë historinë e tyre të përfshirjes jo vetëm në dekadat e fundit por gjatë tërë shekullit të kaluar posaçërisht në Ballkan.

Zëri i Amerikës: A jeni të shqetësuar me ndërhyrjen ruse në Ballkanin perëndimor?

David Price: Po. Përgjigja e shkurtër është po. Mendoj që rritja e ndikimit rus në këtë pjesë të botës dhe në mbarë botën, është burim i një shqetësimi të madh. Nga pikëpamja jonë, Rusia nuk ka arsye të ketë frikë nga Kosova e lirë, e pavarur e demokratike dhe së këndejmi që Serbia të vazhdojë rrugën e saj për t'u bërë pjesë e Evropës, drejt integrimit të plotë ekonomik e politik dhe ky është interes i të dyja vendeve. Dhe Rusia nuk ka arsye që të ndihet e kërcënuar nga kjo. Ata (rusët) përpiqen që të dominojnë vendet në orbitën e tyre, duke ndërhyrë në zgjedhje dhe në gjëra tjera të cilat nuk janë më vend. Vendi ynë dhe e gjithë aleanca perëndimore, duhet të jemi shumë vigjilentë për këtë. Ne jemi të bindur dhe shumë të sigurt që Kosova është e vetëdijshme për rreziqet dhe do të qëndrojë e vendosur, do ta vazhdojë rrugën e pavarur dhe jemi të përcaktuar për ta mbështetur në këtë.

Peter Roskam: Më lejoni të jap një përfundim dhe t'i bëjë jehonë asaj që tha zoti Price, posaçërisht sa i përket rajonit dhe Rusisë. Ne kemi bashkëpunim të ngushtë me vendet tjera që janë nën trysni të madhe nga Rusia dhe ky është Partneriteti për Demokraci i Dhomës së përfaqësuesve. Ne kemi marrëdhënie të ngushta me Ukrainën. Kemi marrëdhënie të ngushta me Gjeorgjinë. Të dyja po përballen me konflikte të ngrira ose agresion të vazhdueshëm por, të dyja qartazi janë përballur me invazion. Këtu ne duam të jemi të qartë se me kë qëndrojmë afër. Ne qëndrojmë me popujt të cilët klithin për liri, ne qëndrojmë me popujt që klithin për vetëvendosje dhe e bëjnë në atë mënyrë që nuk është egoiste, nuk është përjashtuese, por, që në mënyrë përmbajtjesore thotë se ne duam të vendosim për të ardhmen tonë. Dhe kjo tregon pse kjo vizitë në Kosovë është shumë e rëndësishme, sepse Kosova e mishëron atë aspiratë.

XS
SM
MD
LG