Lidhje

Gjykata mban në fuqi pezullimin e urdhërit për udhëtimet


Një gjykatës federal në Shtetet e Bashkuara ka zgjatur pezullimin e tij për urdhërin ekzekutiv të presidentit Donald Trump që kufizon udhëtimet në Shtetet e Bashkuara të qytetarëve nga gjashtë vende me shumicë myslimane dhe ndalon pranimin e refugjatëve.

Gjykatësi federal Derrick Watson kishte pezulluar përkohësisht zbatimin e urdhërit të qeverisë përmes një vendimi të datës 15 mars. Vendimi i tij i ri, i lëshuar dje shkon edhe më tej, duke vendosur një vendim gjyqësor paraprak kundër urdhërit të Presidentit Trump me kërkesë të shtetit të Havajit, i cili duhet të zbatohet në mbarë vendin.

Gjykatësi Watson shkroi se rrethanat që çuan në vendimin e tij fillestar nuk kanë ndryshuar, përfshirë edhe argumentin e shtetit të Havait se komentet e zotit Trump dhe bashkëpunëtorëve të tij gjatë fushatës kanë veçuar myslimanët.

Prokurori i Përgjithshëm i Havait, Douglas Chin të mërkurën në Gjykatën e Honolulus argumentoi kundër udhërit të presidentit për pezullimin e udhëtimeve:

"Në sallën e gjyqit argumentova se në dokument mund të gjesh fjalë neutrale, por prapa tyre mund të shihet qartë se kemi të bëjmë me një ndalim udhëtimesh për myslimanët."

Gjykatësi tha se shteti ka ofruar argumente të mjaftueshme për ta sfiduar me sukses urdhërin e presidentit mbi bazën se ai shkel klauzolën kushtetuese, e cila kërkon që veprimet e qeverisë të kenë qëllime kryesisht laike.

Fushata e zotit Trump në një moment kishte bërë thirrje që të ndalohej hyrja në Shtetet e Bashkuara e të gjithë myslimanëve, një politikë që më vonë u ndryshua në "verifikim ekstrem" për njerëzit nga vendet që kanë lidhje me terrorizmin.

Administrata e Presidentit Trump insiston se urdhri ekzekutiv nuk është një ndalim i hyrjes së myslimanëve në vend. Presidenti ka argumentuar se urdhri ekzekutiv është i nevojshëm për të mbrojtur sigurinë kombëtare.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG