Lidhje

Disidentët kritikojnë hapjen ndaj Kubës


Disidentët kubanezë thonë se ndalimi javën e kaluar i aktivistëve nga autoritetet kubaneze, është dëshmi të atij që ata e quajnë vendim të gabuar të presidentit Barack Obama për të rivendosur marrëdhënie diplomatike me vendin komunist dhe për të lehtësuar disa nga kufizimet ndaj udhëtimit dhe tregëtisë. Por administrata e Presidentit Obama këmbëngul se politika e saj e re, do të kontribuojë në ndryshime në Kubë.

“Zonjat në të bardha” të Kubës po kërkojnë lirimin e të burgosurve politikë dhe përmirësimin e të drejtave të njeriut. Por ata nuk besojnë se hapat e Presidentit Obama ndaj Havanës do të sjellin lirinë, thotë Berta Soler, një nga drejtueset e grupit.

“Obama mendoi se kjo do të favorizonte popullin kubanez, por nuk është ashtu. Rezultati i rigjallërimit të marrëdhënieve do të jetë në të mirën e qeverisë kubaneze, jo popullit kubanez”.

Disidentët thonë se arrestimi i interpretueses kubaneze Tania Bruguera javën e kaluar është një shembull i vazhdimësisë së shtypjes. Bruguera – dhe rreth 50 të tjerë – u ndaluan për shkak të organizimit të një aktiviteti në Sheshin e Revolucionit në Havanë në mbështetje të lirisë së shprehjes. Më pas autoritetet e liruan atë dhe disa aktivistë të tjerë.

Uashingtoni i dënoi ndalimet. Por zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Jen Psaki u pyet me këmbëngulje për politikën e re amerikane.

“Një nga arsyet se pse e ndryshuam politikën është sepse duam t’u japim qytetarëve kubanezë më shumë mundësi për të nxitur ndryshime pozitive në të ardhmen. Dhe ne jemi të përqendruar veçanërisht tek gjendja e të drejtave të njeriut, që ne e dimë se në Kubë vazhdon të jetë e keqe”.

Ajo gjithsesi e pranoi para gazetarëve se nuk ka ende informacion për lirimin e 53 të burgosurve kubanezë, që Havana kishte premtuar se do të liheshin të lirë pas njoftimit të Presidentit Obama për normalizimin e marrëdhënieve.

Kritikët e ndryshimeve përfshijnë ligjvënës amerikanë nga dy partitë, që thonë se zoti Obama, nuk siguroi gjë në këmbim të lehtësimit të embargos ekonomike prej disa dekadash, përfshirë lejimin e investimeve për telekomunikacionet amerikane.

Një editorial në gazetën Uashington Post përmendte ndalimin e Bruguerës si tregues se presidenti duhet të kishte kërkuar masa mbrojtëse për aktivistët pro-demokracisë në këmbim të ndryshimin të qëndrimit amerikan.

Por dekurajimi më i madh ndjehet në Kubë, mes disidentëve si Elizardo Sanchez.

“Nuk shohim ndonjë sinjal se qeveria ka prirjen të bëjë reformat që i duhen vendit, prandaj çdo gjë do të vazhdojë të jetë pak a shumë njëlloj siç ka qenë vitet e kaluara”.

1 janari shënoi 56 vjetorin e marrjes së pushtetit nga Fidel Castro dhe fillimin e Revolucionit Kubanez. Sot kubanezët po presin të shohin nëse politika e re amerikane do të ketë ndonjë ndikim tek jeta e tyre e përditshme apo tek qeveria komuniste e këtij ishulli të Karaibeve.

XS
SM
MD
LG