Lidhje

Debati mbi luftën kundër Shtetit Islamik


Kongresi amerikan këtë javë është pushim, ndërkohë që presidenti Barak Obama përgatitet të organizojë një takim mbi çështjet e ekstremizmit të dhunshëm në lagjet amerikane. Sulmet në Danimarkë edhe një herë theksuan nevojën për vigjilencë, dhe mund të ndikojnë në diskutimet e ardhshme të Kongresit mbi kërkesën e Presidentit Obama për autorizim për të luftuar militantët e Shtetit Islamik.

Sulmet në Kopenhagë që kishin në shënjestër një sinagogë dhe një lokal ku po mbahej një takim mbi lirinë e shprehjes janë shumë të ngjashme me ato të muajit të kaluar në Francë. Ndërkohë që dhuna po rishfaqet në Evropë, zyrtarët amerikanë janë të shqetësuar se myslimanët e radikalizuar të cilët janë bashkuar me luftëtarët e Shtetit Islamik në Irak dhe Siri mund të kthehen fshehurazi në Shtetet e Bashkuara.

Kontrollimi i rrjedhës së terroristëve të mundshëm nga Lindja e Mesme në Shtetet e Bashkuara dhe anasjelltas është një sfidë e madhe, thotë Ndihmës Zëvendës Drejtori i FBI-së Michael Steinbach:

"Unë nuk njoh të gjithë personat që janë me Shtetin Islamik. Por nuk i njoh të gjithë ata që kthehen. Pra, këto lëvizje nuk janë nën kontroll".

Pikërisht në këtë atmosferë pasigurie, presidenti Obama i kërkoi Kongresit një autorizim formal por të kufizuar për të luftuar Shtetin Islamik:

"Nuk është autorizim për një tjetër luftë tokësore, si ato në Afganistan dhe Irak. Në të njëjtën kohë, kjo rezolutë na jep fleksibilitetin e nevojshëm për rrethana të paparashikuara. Për shembull, në qoftë se ne kemi informacione të besueshme për një takim të udhëheqësve të ISIL-it, dhe partnerët tanë nuk e kanë kapacitetin për të ndërmarrë një sulm, unë mund të urdhërin përdorimin e forcave speciale".

Kongresi është i bashkuar në dëshirën për ta mposhtur Shtetin Islamik. Por shumë republikanë mendojnë se presidenti Obama dhe pasardhësi i tij, duhet të kenë një dorë më të lirë në luftën kundër Shtetit Islamik:

"Ne jemi në mes të një lufte, por presidenti i ka duart e lidhura dhe synon ta kufizojë veten më tej me propozimin që na ka sjellë", thotë kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, John Boehner.

Për ligjvënësit demokratë, si kongresmeni Adam Schiff, autorizimi i propozuar nga Presidenti është tepër i papërcaktuar:

"Mendoj se është shumë e rëndësishme që të gjejmë një rrugë për miratimin e autorizimit. Por unë mendoj se është e rëndësishme që ta bëjmë këtë me disa shpjegime e jo ashtu si 14 vjet më parë".

Ligjvënësit këtë javë do të dëgjojnë mendimet e votuesve në distriktet e tyre për një larmi temash, duke përfshirë edhe luftën kundër Shtetit Islamik. Diskutimet mbi mbrojtjen e Amerikës do të fillojnë javën e ardhshme, kur ligjvënësit të merren me një çështje më emergjente, financimin e operacioneve të brendshme të sigurisë, buxheti i të cilave skadon në fund të muajit.

XS
SM
MD
LG