Lidhje

SHBA: Kërcënime të reja fiskale


Ndërsa Presidenti Barack Obama përgatitet të mbajë fjalimin e përvitshëm mbi gjendjen e vendit, Shtetet e Bashkuara përballen me disa sfida ekonomike. Megjithë shenjat e rimëkëmbjes, zhvillimi ekonomik është ende i ngadaltë, borxhi i qeverisë vazhdon të rritet dhe miliona amerikanë nuk mund të gjejnë punë; janë këto disa prej vështirësive ekonomike të vendit në mandatin e dytë të presidentit Obama.

Presidenti Obama ndeshet me një ekonomi shumë ndryshe nga ajo që ai trashëgoi para 4 vjetësh.
Megjithëse papunësia vazhdon të jetë e lartë, eksperti i buxhetit, Stan Collender thotë se ekonomia ka filluar të rimëkëmbet.

“Tregu i strehimit ka ndryshuar, tregu financiar, tregu i aksioneve është dyfishuar krahasuar me 4 vjet më parë”.

Ndërsa rreziku i dështimit ekonomik nuk është më problem, analistët thonë se problem përbën rreziku i një katastrofe fiskale.

Megjithëse e ka shmangur një rritje të madhe taksash për amerikanët e klasës së mesme, Kongresi vetëm sa e ka shtyrë hyrjen në fuqi të një marrëveshjeje, që vetë politikanët kanë arritur, për të bërë shkurtime të mëdha shpenzimesh me synimin për t’i detyruar dy partitë politike të arrijnë marrëveshje për uljen e deficitit

Autori dhe eksperti i çështjeve fiskale, Charles Konigsberg thotë se kjo është një mënyrë negative administrimi.

“Më 1 mars hyjnë në fuqi automatikisht shkurtime buxhetore. Ato do të shkurtonin me më shumë se 5 për qind të gjitha programet qeveritare, përfshirë ato të mbrojtjes, të cilat mund të kenë një ndikim të madh tek papunësia dhe zhvillimi ekonomik”.

Ndonëse nuk ka shenja për marrëveshje, presidenti kërkon që Kongresi të shtyjë përsëri afatin e hyrjes në fuqi të shkurtimeve automatike.

“Nëse Kongresi nuk mund të miratojë një paketë më të madhe para 1 marsit, atëhere unë besoj se ligjvënësit duhet të miratojnë një paketë më të vogël për shkurtimin e shpenzimeve dhe reformën e taksave, që do të shmangte ndikimet e dëmshme ekonomike të marrëveshjes së plotë”.

Zyra e Kongresit për Buxhetin thotë se shkurtimet automatike të shpenzimeve do të ulnin deficitin vjetor, por do të shkurtonin përgjysëm zhvillimin ekonomik, duke bërë që të eliminoheshin rreth 1.5 milion vende pune. Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, republikani John Boehner, shprehu zemërim lidhur me këtë ngecje.

“Në një farë pike, Uashingtonit i duhet ta zgjidhë problemin e shpenzimeve. Kam qënë dëshmitar i kësaj gjendjeje për 22 vjet, që zgjidhja e problemit shtyhet. Jam ngopur me një qëndrim të tillë. Ka ardhur koha të veprojmë”.

Tani që borxhi kombëtar ka kaluar 16 trilion dollarët, të dyja partitë janë të një mendimi se shkurtimet e shpenzimeve janë të domosdoshme. Por ekonomistët thonë se shkurtimet duhet të bëhen gradualisht. Ekonomia u tkurr në tre mujorin e fundit të vitit të kaluar, për herë të parë në 3 vjet. Rezultati, thotë eksperti i buxhetit Stan Collender, janë shkurtimet me 22 për qind të shpenzimeve të mbrojtjes.

“Është interesant fakti që, pas 4 vjetësh që republikanët flasin se si shkurtimet e shpenzimeve do të nxisnin zhvillimin ekonomik, ne tani e dimë me siguri se ndikimi është plotësisht i kundërt”.

Charles Konigsberg ka punuar si për administrata republikane edhe demokrate. Ai thotë se mënyra se si presidenti do t’u drejtohet republikanëve gjatë fjalimit të së martës mbi gjendjen e vendit mund të jetë po aq e rëndësishme sa edhe thelbi i fjalimit.

“Është e rëndësishme që të eliminohen mosmarrëveshjet që ekzistojnë mes dy partive dhe e vetmja figurë politike që mund ta bëjë këtë është presidenti”.

Një problem është se sa kapital politik është i gatshëm të përdorë presidenti për të ngushtuar mosmarrëveshjet, që sipas analistëve, tani për tani, përbëjnë pengesën kryesore për ekonominë më të madhe të botës.



XS
SM
MD
LG