Lidhje

Zgjedhjet presidenciale në SHBA


Kandidatët kryesorë të garës presidenciale nga të dyja partite në Shtetet e Bashkuara i ndanë të martën fitoret në garat në disa shtete perëndimore me rivalët e tyre kryesorë.

Republikani Donald Trump fitoi lehtësisht në Arizona dhe siguroi të 58 delegatët e këtij shteti, duke mundur Senatorin e Teksasit,Ted Cruz me një epërsi prej 20 përqind.

Senatori Cruz i konsolidoi pozitat e tij me një fitore të rëndësishme në Utah. Ai fitoi më shumë se gjysmën e votave, duke bërë të mundur që ai të siguronte të 40 delegatët nga ky shtet, duke i mohuar zotin Trump mundësinë që të fitonte një pjesë prej tyre. Senatori Cruz dhe kandidati tjetër republikan, guvernatori i Ohio-s, John Kasich, po përpiqen të pengojnë zotin Trump që të sigurojë 1,237 delegatët e nevojshëm për të siguruar kandidimin nga Partia Republikane para kuvendit në korrik.

Deri tani mes republikanëve, Donald Trump ka siguruar 739, Ted Cruz 465 dhe John Kasich 143 delegatë.

Senatori nga Vermonti, Bernie Sanders siguroi dy fitore të nevojshme në garën demokrate, duke fituar në Idaho dhe Utah me mbi 70 për qind të votave, ndaj ish-Sekretares së Shtetit Hillary Clinton.

Zonja Clinton fitoi garën në Arizona me një epërsi të konsiderueshme.

Deri tani ajo ka siguruar 1,681 nga 2,383 delegatët, ndërsa Bernie Sanders ka siguruar 927.

XS
SM
MD
LG