Lidhje

SHBA, sot zgjedhjet e mesmandatit


Në Shtetet e Bashkuara sot po zhvillohen zgjedhje të rëndësishme që pritet të vendosin nëse do të jenë demokratët apo republikanët që do të kenë kontrollin e Kongresit gjatë dy viteve të fundit të mandatit të Presidentit Obama.

Sot votohet për të 435 vendet e Dhomës së Pëfaqësuesve dhe për një të tretën e 100 vendeve të Senatit. Vemendja kryesore është tek Senati, ku shumë analistë politikë thonë se republikanët do të jenë në gjendje të marrin gjashtë vendet që u duhen për të siguruar kontrollin. Deri tani, Partia Demokrate e Presidentit Obama ka në Senat shumicën, me vetëm 5 vende më shumë se Partia Republikane.

Tani që niveli i miratimit të Presidentit është pak më shumë se 40 përqind, shanset më të mëdha për republikanët janë në disa shtete ku zoti Obama pësoi humbje dy vjet më parë në fushatën e tij të rizgjedhjes.

Pritet që republikanët ta ruajnë e ndoshta ta zgjerojnë shumicën e tyre të ndjeshme në Dhomën e Përfaqësuesve, ku ata kanë 233 vende.

Zgjedhjet e mesmandatit në SHBA
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:43 0:00

Anketat e fundit tregojnë se kandidatët republikanë do t'i fitojnë me lehtësi vendet për Senatin në shtetet Virxhinia Perëndimore, Dakota e Jugut dhe Montana, që aktualisht mbahen nga demokratët. Sipas anketave, republikanët mund të fitojnë edhe në shtetet Ajova, Kolorado, dhe Alaska, megjithëse do të duhen disa orë e madje ditë përpara se të dihen rezultatet përfundimtare.

Dy gara në shtetet jugore, Xhorxhia dhe Luiziana, janë mjaft të paparashikueshme dhe pritet që të vendosen me balotazh.

Qendrat e votimit u hapën sot herët, që në orën 6:00 të mëngjesit. Duke pasur parasysh se entuziazmi për votim në zgjedhjet në mes të mandatit presidencial nuk është aq i madh sa ai për zgjedhjet presidenciale dhe faktin që disa nga garat janë me një rezultat shumë të ngushtë, kandidatët bënë fushatë mbrëmë deri në orët e fundit para votimit. Zgjedhjet e sotme do të përcaktojnë relievin politik për dy vitet e fundit të mandatit të Presidentit Barack Obama.

Shumica e analistëve parashikojnë se republikanët do ta zgjerojnë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve dhe kanë shanse të mira për të marrë shumicën në Senat.

“Ne synojmë të bëhemi një shumicë republikane qeverisëse, në se populli amerikan na e jep mundësinë ta arrijmë këtë.”

Është udhëheqësi i pakicës republikane në senat, Mitch McConnell i cili përballet në zgjedhje me demokraten Alison Lundergan Grimes, në shtetin e Kentakit. Në se republikanët e ruajnë kontrollin e shteteve të Konektikatit, Georgias dhe Kansasit dhe fitojnë 6 nga13 vendet e mbajtura deri tani nga demokratët, ata do ta rimarrin kontrollin e Senatit.

Ata pritet gjerësisht të ruajnë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve. Në senat, atyre u duhet të fitojnë edhe gjashtë vende të tjera për të marrë kontrollin nga demokratët.

“Kemi një ide mjaft të qartë se prirja e tanishme favorizon Partinë Republikane. Partia që nuk ka presidentin, del mirë në zgjedhjet në mes të mandatit. Është e vështirë për demokratët. Ka një rrugë për ruajtjen e shumicës në senat, por republikanët kanë shumë rrugë për ta fituar atë”, thotë Norm Ornstein, një analist me Institutin American Enterprise.

Por edhe për demokratët ekziston mundësia për disa fitore të reja. Guvernatorët republikanë në Florida, Uiskonsin, dhe Pensilvani rrezikohen këtë vit, për shkak të pakënaqësive të votuesve ndaj tyre.

“Unë jam me ju dhe ju meritoni një guvernator që të jetë me ju.”

Dy shtete ku qendrat e votimit mbyllen sonte më herët, mund të japin një ide të parë për rezultatin e zgjedhjeve. Ato janë Karolina e Veriut dhe Nju Hempshire. Humbja e demokratëve në secilin nga këto shtete mund të tregojë për një fitore të rëndësishme të republikanëve.

Në zgjedhjet e sotme votohet për të 435 vendet e Dhomës së Përfaqësuesve, si edhe për 36 nga 100 vendet e Senatit dhe 36 nga 50 postet e guvernatorëve.

Ajo që ra në sy në fushatë ishte mungesa e Presidentit Obama, mbështetja në rënie e të cilit, i bëri ligjvënësit demokratë me pozita delikate, të distancohen nga Shtëpia e Bardhë.

Por me gjithë parashikimet e analistëve, demokratët ndërmorën një përpjekje masive për mobilizimin e votuesve që ata thonë se do të provojë se anketat e kanë gabim.

Por presideni Obama dhe partia e tij demokrate, mund të jetë përballë një beteje me historinë. Nëse republikanët fitojnë, kjo është në përputhje me precedentin që partia e presidentit që është në mandatin e dytë, zakonisht humb terren në zgjedhjet e Kongresit. Dhe një element tjetër në këto zgjedhje? Shpenzimet që për këtë fushatë kanë arritur në 4 miliardë dollarë, zgjedhjet më të kushtueshme në historinë e votimeve për Kongresin. Fati i votimeve të sotme do të varet nga pjesëmarrja dhe nga votuesit e pavarur.

XS
SM
MD
LG