Lidhje

Engel: Lirojeni Haradinajn


Eliot Engel

Ligjvënësi amerikan Eliot Engel, tha të premten se është e papranueshme që Serbia po abuzon me Interpolin për të vënë në shënjestër ish kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Ai i bëri këto komente dy ditë pasi që ish kryeministri Haradinaj u ndalua nga policia franceze në bazë të një urdhër arresti të lëshuar nga Serbia.

Në një komunikatë të zyrës së tij theksohet se "kjo nuk ka të bëj me sundimin e ligjit apo drejtësinë. Gjykata Ndërkombëtare e ka shfajësuar dy herë zotin Haradinaj. Ky veprim vetëm nxitë tensionet dhe shton mundësitë për konflikt në të ardhmen".

Ligjvënësi Engel u ka bërë thirrje autoriteteve të drejtësisë franceze që të përshpejtojnë procedurat dhe të lirojnë zotin Haradinaj sa më parë që është e mundur.

Kapitulli i 35-të i procesit të anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian, thekson se Serbia duhet të veprojë në mirëbesim për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Abuzimi i Serbisë me urdhër arrestimet e kuqe të Interpolit është shkelje thelbësore e këtij përkushtimi dhe Bashkimi Evropian nuk duhet të çojë përpara procesin e anëtarësimit të Serbisë derisa ajo nuk i kthehet normalizimi të mirëfilltë të marrëdhënieve me Kosovën", thuhet në deklaratë në të cilën nënvizohet se Shtetet e Bashkuara vlerësojnë miqësinë me Serbinë ndërsa shfaqet shpresa se këto marrëdhënie do të përparojnë. Por, keqpërdorimi i Interpolit, thekson zoti Engel, mund ta dëmtojë këtë përparim.

"Më në fund, Kosova ka një histori shumë të mirë të punës në fushën e sundimit të ligjit me Shtetet e Bashkuara, vendet fqinje dhe faktorët e tjerë ndërkombëtarë për të penguar kërcënimet terroriste. Ajo është vlerësuar gjerësisht kohët e fundit për ndihmesën në pengimin e një kërcënimi serioz terrorist ndaj një ekipi sportiv izraelit. Kosova ka shprehur interesimin për t'ju bashkuar Interpolit dhe është koha q ajo të pranohet për hir të sigurisë së saj dhe të rajonit", thuhet në deklaratën e ligjvënësit Eliot Engel.

Ai kishte reaguar edhe në qershor të vitit 2015 kur zoti Haradinaj qe ndaluar në Slloveni për të njëjtat shkaqe. Atëbotë ligjvënësi Engel e kishte quajtur "gjueti shtrigash" vazhdimin e mbajtjes në fuqi të urdhër arresteve serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Autoritetet në Kosovë kanë kërkuar disa herë nga policia ndërkombëtare, që të mos merren parasysh fletarrestimet e lëshuara nga Serbia për qytetarët e Kosovës. Kërkesat kishin pasuar disa raste të ndalimit nëpër aeroporte të drejtuesve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në bazë të fletarrestimeve të lëshuara nga Beogradi.

Mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga një numër shtetesh që janë edhe pjesë e Interpolit e vështirëson shumë edhe bashkëpunimin e saj me këtë organizatë.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG