Lidhje

SHBA, shqetësim për luftëtarët e huaj që rikthehen


Sulmet në Paris dhe shqetësimet se terroristë të tjerë të ndonjë celule të lidhur me Said dhe Cherif Kouachi-n mund të jenë në pritje të sulmojnë, i kanë bërë zyrtarët amerikanë që të jenë të vëmendshëm dhe të marrin masa për të ardhmen.

Pas sulmeve në Paris, Departamenti i Sigurisë Kombëtare ka shtuar masat e sigurisë në rrugë dhe para ndërtesave qeveritare, si edhe kontrollet në aeroporte.

Departamenti thotë se nuk ka ndonjë kërcënim konkret, por zyrtarët amerikanë janë të shqetësuar për rrezikun që paraqesin luftëtarët që kthehen nga vendet e huaja. Një zyrtar i lartë i administratës i thotë Zërit të Amerikës:

“Po e ndjekim këtë dukuri me shumë vëmendje, veçanërisht ndërsa shohim shenja demoralizimi në fushat e betejës në Siri dhe Irak”.

Numri i luftëtarëve të huaj që shkojnë në konflikt vazhdon të rritet, duke arritur në të paktën 18 mijë nga e gjithë bota, sipas zyrtarëve amerikanë.

Jeremy Shapiro nga Instituti Brookings thotë se shumë prej tyre po kthehen.

“Rreth 2-3 mijë vetë kanë shkuar nga Evropa dhe Shtetet e Bashkuara; janë shifrat e fundit që kam dëgjuar që mund të jenë që prej disa muajsh. Rreth 50 për qind e tyre janë kthyer”.

Një aktivist norvegjez, Yousef Bartho Assidiq, që në të kaluarën është rekrutuar nga ekstremistët, e ka parë vetë këtë realitet.

“Shumica e atyre që kthehen, me përjashtim të disave, kthehen me synimin për të rekrutuar njerëz të tjerë”.

100-200 luftëtarë të huaj në Irak dhe Siri janë nga Shtetet e Bashkuara. Deri tani, zyrtarët amerikanë të zbulimit nuk kanë dhënë ende shifra të atyre që janë kthyer.

XS
SM
MD
LG