Lidhje

SHBA: bastisje, kontrolle për imigrantët e paligjshëm


Autoritetet amerikane të emigracionit arrestuan qindra imigrantë që jetojnë në mënyrë të paligjshme në Shtetet e Bashkuara në të gjithë vendin këtë javë në bastisje në disa shtete. Autoritetet thonë se operacionet ishin rutinë dhe nuk kishin lidhje me urdhrat e fundit ekzekutivë të nënshkruar nga presidenti Donald Trump. Megjithatë, vetë presidenti Trump shkruajti në Twitter sot se masat ndaj kriminelëve që janë imigrantë të paligjshëm, janë “thjesht mbajtja e premtimit” që ai bëri gjatë fushatës.

Bastisjet kishin si objektiv kapjen e imigrantëve të paligjshëm që kanë kryer krime, sipas zyrtarëve të agjencisë federale për Imigracionin dhe Doganat.

Agjentët i kryen bastisjet në të paktën gjashtë shtete, përfshirë në qytete si Atlanta, Çikago, Nju Jorku dhe Los Anxhelesi. Në Los Anxheles. u arrestuan më shumë se 160 persona gjatë javës.

Duke folur për gazetarët të premten pas një vizite dy-ditore në kufirin jugor, Sekretari amerikan për Sigurinë Kombëtare John Kelly tha se autoritetet thjesht po zbatojnë ligjin.

“Para së gjithash ata nuk po arrestojnë njerëzit në masë. Njerëzit që agjentët kanë kapur janë të paligjshëm dhe mund të kenë kryer krime. Mora sot pjesë në dy kontrolle para orës 6.00 të mëngjesit; shkuam në një shtëpi, trokitëm në derë dhe morëm një individ shumë të keq, një mashkull në paraburgim. Pastaj shkuam në një shtëpi tjetër dhe agjentët morën dy njerëz – të parin kishin kohë që e kërkonin dhe doli që edhe personi i dytë kishte shkelur ligjin. Pra, në të gjitha këto natyrisht agjentët po zbatojnë ligjin”.

Por grupet për të drejtat e imigrantëve thonë se agjentët po kapin njerëz të shumtë kudo në vend, për shkak të zbatimit të intensifikuar, në përputhje me urdhrat e presidentit Trump. Agjencia për Imigracionin dhe Doganat i quajti veprimet e fundit thjesht një “rritje në zbatimin e ligjit” dhe nuk ndryshon nga veprimet e ndërmarra në të kaluarën.

Bastisjet kanë rezultuar në protesta të shumta në të gjithë vendin, duke përfshirë qytetin e Austin-it të Teksasit, në të cilin vlerësohet se gjenden rreth 100 mijë emigrantë pa dokumenta si pjesë e popullsisë së qytetit.

Zoti Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv muajin e kaluar për të kërkuar rreth 11 milionë imigrantët pa dokumenta që jetojnë në vend.

XS
SM
MD
LG