Lidhje

Shtetet e Bashkuara të paanshme në përplasjet irakiano-kurde


Shtetet e Bashkuara, të cilat i kanë dhënë mbështetje forcave irakiane dhe kanë ndihmuar në trajnimin e luftëtarëve kurdë, bëjnë thirrje për qetësi pas përleshjeve për qytetin e Kirkukut. Presidenti Donald Trump u shpreh dje se Uashingtoni nuk “do të mbajë anë” në këtë konflikt.

Shkëmbime deklaratash të tensionuara dhe referendumet u pasuan nga përplasje ndërmjet dy aleatëve të Amerikës në Irakun verior. Forcat irakiane të sigurisë dhe ato kurde po luftojnë njëra-tjetrën përreth qytetit Kirkuk.

Sipas një korrespondenti të Zërit të Amerikës në Irak, njësitë e mobilizimit popullor të mbështetura nga Irani u tërhoqën nga pozicionet e tyre në jug të qytetit Kirkuk, për të lejuar hyrjen e forcave irakiane të sigurisë. Gjatë orëve të natës pati shkëmbime zjarri ndërmjet forcave kurde peshmerga dhe forcave irakiane. Zyrtarët amerikanë thonë se njësitë irakiane antiterror morën në mënyrë paqësore bazën ajrore Kirkuk K1.

“Ndërsa kanë avancuar forcat irakiane, kemi parë tërheqje të organizuar të Peshmergave nga zona. Pati shkëmbime të vogla zjarri në mëngjes, por duken si incidente të izoluara”, thotë zëdhënësi i Pentagonit, Major Adrian Rankine-Galloway.

Ndërsa forcat irakiane patrullojnë nëpër qytet, zyrtarët amerikanë bëjnë thirrje për paqe, duke u kërkuar të dyja palëve të fokusohen tek lufta kundër Shtetit Islamik dhe të mos luftojnë njëra-tjetrën.

“Nuk po mbajmë anë, por nuk na pëlqen që po përleshen”, tha Presidenti Donald Trump.

Forcat amerikane bashkëpunojnë me forcat irakiane dhe luftëtarët peshmerga, ndërsa gjenden pranë qytetit Kirkuk. Zyrtarët konfirmojnë se forcat irakiane që hynë në Kirkuk janë trajnuar dhe pajisur nga njësitë amerikane.

Ushtria amerikane i mbështeti forcat irakiane dhe ato peshmerga, me kushtin se do të luftonin vetëm Shtetin Islamik. Por, ekspertët thonë se qeveria amerikane nuk mundet t’i detyrojë palët.

“Nuk mendoj se mund të presim që ata të mbajnë premtime që i kanë bërë në situata shtrëngimi, kur luftonin për mbijetesë. Ata kanë thënë çfarë duhej thënë dhe çfarë mendonin se ne donim të dëgjonim prej tyre”, thotë Michael O’Hanlon, i Institutit Brookings.

Zoti O’Hanlon thotë se nga këto përplasje fiton realisht Irani, influenca e të cilit është rritur në vend, ndërsa amerikanët nuk rivalizojnë dot numrat e shumtë të njësive me mbështetje iraniane, të cilat ashtu si koalicioni i udhëhequr nga SHBA-ja, kanë bashkëpunuar me irakianët kundër Shtetit Islamik.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG