Lidhje

John Allen: Përparim i dukshëm në luftën kundër ISIS-it


I dërguari i posaçëm amerikan në koalicionin për luftë kundër ISIS-it, John Allen, thotë se lufta në Siri mund të marrë fund vetëm më zgjidhje politike.

I dërguari i posaçëm amerikan në koalicionin global për luftë kundër ISIS-it, gjenerali i pensionuar i marinës, John Allen, tha se është shënuar “përparim i dukshëm: në luftën kundër grupit Shteti Islamik gjatë vitit të fundit. Megjithatë, Allen tha po ashtu se vetëm një zgjidhje politike dhe jo një fitore ushtarake mund t’i jap fund konfliktit pothuajse pesëvjeçar në Siri dhe krizës së refugjatëve.

Në një intervistë me rrjetin televiziv ABC, Allen tha se kur e ishte marrë postin aktual një vit më parë, nuk ishte i sigurt që Iraku do t’u mbijetojë përparimeve të grupi Shteti Islamik, i njohur edhe si DAESH.

“Gjatë muajve pasues kemi parë përparim të dukshëm në shumë aspekte. Kemi parë shfaqjen e një udhëheqësi dhe një partneri të aftë në Bagdad tek Haider al-Abadi. Në mes të programit të tij kombëtar, shtrirjen e dorës ndaj sunnitëve, planit të tij për al-Anbarin, marrëdhënieve të tij të ngushta me Ayatollah Ali al-Sistanin, kemi gjetur tek ai shpresën për një të ardhme politike në Irak, që nuk e kemi parë nën udhëheqjet tjera dhe nuk e kemi parë me herët. Pa platformë politike, pa zgjidhje politike të këtij konflikti, pavarësisht se çfarë do të bëjmë ushtarakisht, nuk do ta zgjidhim krizë”, tha Allen.

Allen tha se gjatë vitit të kaluar koalicioni kundër Shtetit Islamik ka punuar shumë për të frenuar rrjedhën e luftëtarëve të huaj në radhët e tij, pengimin e financimit, të konkurrojë me atë që ai e quajti mesazhi i urrejtjes, si dhe të merret me krizën humanitare.

Robert Ford, ish ambasadori amerikan në Siri, tha në një intervistë tjetër televizive se kriza humanitare nuk po vjen nga territoret që mbahen nga ISIS-i, por si rezultat i përdorimit të armëve kimike dhe bombave fuçi nga regjimi i presidentit Bashar al-Assad që po zbraze qytete të tëra.

“Gjysma e Sirisë është zhvendosur. Gjysma e popullatës së Sirisë nuk jeton më në shtëpitë e saj”, tha zoti Ford.

Ai tha se administrata e presidentit Barack Obama është përqendruar tek ISIS-i dhe jo te fajtori i vërtetë i krizës, qeveria e Assadit.

“Brutaliteti i regjimit të Assadit po nxite rekrutimin tek Shteti Islamik. Sapo kemi marrë raportet nga komuniteti amerikan i zbulimit që thonë se ISIS-i po zëvendëson të gjithë luftëtarët që po vrasim në bombardimet tona dhe pse ndodhë kështu? Kjo ndodhë sepse ata janë në gjendje të rekrutojnë të rinjtë e zemëruar sirianë me bombardimin e zonave civile në qytetet siriane nga regjimi i Assadit.

Javën e kaluar zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë tha se Shteti Islamik ka humbur 30 për qind të territoreve të populluara që i mbante nën kontroll një vit më parë në Irak. Ai tha se ISIS-i ka humbur 17 mijë kilometra katrorë në Sirinë Veriore dhe është shkëputur nga pjesa më e madhe e zonës kufitare ndërmjet Sirisë dhe Turqisë.

Zoti Allen tha se lufta e Sirisë nuk mund të zgjidhet kurrë ushtarakisht, por vetëm nëpërmjet zgjidhjes politike.

Ai refuzoi të komentojë mbi praninë ruse në Siri. Presidenti Obama tha të premten se aktivitetet ushtarake ruse mund të pengojnë Shtetet e Bashkuara dhe aleatët në gjetjen e një zgjidhjeje politike për konfliktin sirian. Ai tha se Washingtoni do t’i kundërvihet Moskës për shkak të veprimeve të fundit.

Ish ambasadori Ford tha se ndihma ruse po rritet sepse qeveria e Assadit po e humbë luftën civile. Zoti Allen tha se SHBA do të mirëpres ndihmën konstruktive nga cilido partner në botë, përfshirë edhe Rusinë.

“Ajo që ne kundërshtojmë është çdo mbështetje për regjimin e Assadit që zgjeron apo rritë konfliktin”, tha zoti Ford.

Sa i përket çështjes nëse ISIS-i paraqet kërcënim për Shtetet e Bashkuara, Allen tha se kjo duhet trajtuar seriozisht. Por, ai nënvizoi se fakti që sulmet ajrore të muajit të kaluar në Siri, vranë Junaid Hussainin, figurën qendrore të fushatës së rekrutimit në internet nga ISIS-i, duket të ketë prerë përpjekjet për të planifikuar dhe kryer sulme të tilla.

Allen tha se pret një qëndrueshmëri më të madhe politike në Irak pas një viti, derisa beson që forcat sigurisë do të marrin më shumë territore të kontrolluara nga ISIS-i dhe do t’u mundësojnë irakianëve të zhvendosur të kthehen në shtëpitë e tyre.

XS
SM
MD
LG