Lidhje

SHBA e hapur për bisedime, nëse Pheniani është gati të çarmatoset


Presidenti Donald Trump tha sot se kreu i Koresë së Veriut Kim Jong Un mori një "vendim shumë të mençur dhe të arsyetuar mirë" duke shtyrë planet për të nisur raketa drejt brigjeve të territorit amerikan të Guamit. Në një koment në Twitter, Presidenti Trump shkruante se "alternativa do të ishte katastrofike dhe e papranueshme!" Dje, Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson tha se Uashingtoni vazhdon të jetë i gatshëm për bisedime me Korenë e Veriut.

Përshkallëzimi i përplasjeve mes Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Veriut, u ndal të martën pasi Kim Jong Un shtyu një vendim për të hedhur raketa në drejtim të Guamit…..

Sekretari i Shtetit, Rex Tillerson thotë se hapi i mëtejshëm varet nga zoti Kim:

“Ne vazhdojmë të jemi të interesuar të gjejmë një rrugë drejt dialogut, por është në dorën e tij”.

Por Shtetet e Bashkuara thonë gjithashtu se Pheniani duhet të ndërpresë provat me raketa balistike dhe bërthamore para se të fillojnë negociatat për çnuklearizimin e gadishullit korean:

“Koreja e Veriut duhet të ndërmarrë hapa shumë seriozë dhe të demonstrojë se është vërtet e interesuar për çnuklearizimin e gadishullit Korean. Duhet të bëjnë shumë më tepër”, - tha zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Heather Nauert.

Pauza në përshkallëzim nuk do të thotë se alternativa ushtarake nuk ekziston më. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Jim Mattis thotë se Uashingtoni vazhdon të jetë i gatshëm të vetëmbrohet, nëse Koreja e Veriut vazhdon me planin për sulm me raketa ndaj territorit amerikan të Guamit.

Analistët thonë se e vetmja mënyrë për të shmangur një tjetër luftë në Gadishullin Korean është diplomacia dhe Kina duhet të ketë rol në këtë proces.

“Arsyeja është e thjeshtë: Paratë. Kina kontrollon 90-95 për qind të ekonomisë koreane. Ata ndajnë një kufi tokësor me Korenë e Veriut. Po të duan, ata kontrollojnë oqeanin dhe detin përreth vendit komunist. Kina mund ta bllokojë menjëherë Korenë e Veriut," - thotë admiral James Stravidis, ish-komandant i NATO-s.

Uashingtoni ka vënë re një ndryshim gradual në qëndrimin e Kinës ndaj Koresë së Veriut, përfshirë mbështetjen e Pekinit ndaj veprimeve të fundit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së kundër Koresë së Veriut, që shihet si tregues se Kina po mban qëndrimin e duhur.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG