Lidhje

SHBA, Koreja e Jugut, qëndrim i përbashkët ndaj Phenianit


Presidenti Donald Trump deklaroi të premten se Shtetet e Bashkuara kanë humbur durimin me Korenë e Veriut, në një takim me homologun e tij koreano-jugor në Shtëpinë e Bardhë.

Duke folur në Kopshtin e Trëndafilave në Shtëpinë e Bardhë, në krah të Presidentit koreano-jugor Moon Jae-in, zoti Trump u zotua për një "përgjigje të vendosur” kundër programeve bërthamore dhe të raketave të Phenianit.

"Koha e durimit strategjik me regjimin koreano-verior ka marrë fund, tha zoti Trump duke iu referuar qëndrimit të ish-Pesidentit Barack Obama ndaj Koresë së Veriut. Kaq vjet me të njëjtën strategji dhe ka dështuar dhe të them të drejtën durimit i ka ardhur fundi”.

Presidenti Trump dhe homologu i tij koreano-jugor Moon, nuk janë në një emërues të përbashkët përsa i takon nivelit të presionit që duhet ushtruar ndaj Koresë së Veriut, që ta detyrojnë atë të heqë dorë nga programi i tij i armëve. Të dy udhëheqësit kanë kritikuar gjithashtu disa aspekte të bashkëpunimit mes vendeve të tyre në fushën e mbrojtjes.

Por të premten ata paraqitën një front të përbashkët.

Pas një diskuutimi që zgjati rreth 30 minuta më gjatë nga ç’ishte parashikuar, zoti Moon vlerësoi “vendosmërinë dhe pragmatizmin” e zotit Trump dhe tha se ata kishin qenë në gjendje të arrinin “një konsensus të gjerë” për çështje që përfshijnë lidhjet e mbrojtjes e e deri tek çështja bërthamore e Koresë së Veriut.

"Çështja e Koresë së Veriut duhet të zgjidhet. Koreja e Veriut nuk duhet të nënvleftësojë angazhimin e palëkundur të Koresë dhe Shteteve të Bashkuara në këtë drejtim”.

Ishte takimi i parë mes zotit Trump, një ish-biznesmen miliarder dhe zotit Moon, një jurist liberal i të drejtave të njeriut, që mori detyrën muajin e kaluar.

Takimi po pritej me interes për shkak të qëndrimeve të tyre të ndryshme lidhur me marrëveshjen tregëtare mes dy vendeve. Presidenti Trump, thotë se ai shpreson që të rinegociojë një marrëveshje tregëtare “të drejtë” me Seulin.

Ai përsëriti ankesën e tij të përhershme se marrëveshja aktuale me aleatin e Shteteve të Bashkuara, ka qenë “e vështirë".

"Ne po rinegociojmë marrëveshjen tregëtare me Korenë e Jugut dhe shpresojmë që të jetë e drejtë për të dyja palët. Ka qenë një marrëveshje jo e favorshme për Shtetet e Bashkuara, por mendoj se do të ndryshojë dhe do të bëhet e favorshme për të dyja vendet”.

Gjatë fushatës presidenciale, zoti Trump kishte kritikuar ashpër praktikat tregëtare koreano-jugore. Ai gjithashtu kishte vënë në shënjestër Seulin dhe aleatë të tjerë të Shteteve të Bashkuara se nuk kishin paguar sa duhej për mbrojtjen.

Të premten, zoti Trump e siguroi homologun e tij se Shtetet e Bashkuara “gjithmonë do t’i mbrojnë aleatët” por shtoi se duhet të ketë një “ndarje të drejtë të përgjegjësive nga ana e Koresë së Jugut”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG