Lidhje

Debat mbi të ardhmen e Kosovës


US/Kosovo

Përfaqësues institucionesh e organizatash jo qeveritare nga Kosova, Serbia, Mali i Zi, Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara debatuan të martën në një konferencë të programit “Peace building dhe të drejtat e njeriut” të Universitetit Columbia.

Përgjatë gjithë debatit u diskutua për idetë e “shkëmbimit të territoreve” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Analisti Daniel Serwer, tha se Kosova duhet të shqyrtojë tri mundësi: zgjerimin e mbështetjes për të, pengimin dhe zvarritjen. Ai tha se Kosova duhet të kërkojë mbështetje nga të gjitha vendet që kanë arsye të fuqishme për të kundërshtuar idetë e shkëmbimit të territoreve.

“Si mund të pengojë Kosova shkëmbimin e territoreve? Çelësi është reciprociteti në bisedimet e ardhshme. Kosova duhet të kërkojë çdo gjë që kërkon Serbia. Pushtet të njëjtë për një asociacion të komunave shqiptare njësoj sic kërkon Serbia në Kosovë. Përfaqësim të njëjtë për shqiptarët në Beograd, sikundër Serbia ka në Prishtinë. Largim të barrierave jotarifore në shkëmbim të heqjes së tarifave. Dhe mbi të gjitha njohja e ndërsjellë më shkëmbimin e ambasadorëve dhe me përkushtim të qartë e të verifikueshëm për të mos penguar anëtarësimin e Kosovës ne OKB dhe organizata tjera ndërkombëtare”.

Ai tha se shtyrja është thelbësore po ashtu, meqë (presidenti serb Aleksandër) Vuçiç e ka bërë të qartë se do të presë deri pas zgjedhjeve në Serbi që mbahen në qershor që të provojë një marrëveshje me Prishtinën. Administrata amerikane mund të nxisë “shkëmbimin e territoreve” para vjeshtës, prandaj korriku dhe gushti kur Evropa është në “pushim” është kohë e nje trysnie të tillë. Ai tha se një vendim i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës që nuk do të lejonte formimin e një qeverie pa zgjedhje të reja do të mund të çonte në një shtyrje të mirëseardhur.

“Më 1 tetor Kosova do të jetë e shpëtuar nga ndarja nëse kjo nuk ndodhë më herët”, tha zoti Serwer duke nënvizuar se muajt e ardhshëm janë thelbësor për të ardhmen e Kosovës.

Debatet rreth ideve për shkëmbim territoresh u rihapën pas krizës politike në Kosovë që çoi në rrëzimin e qeverisë së kryeministrit Albin Kurti. Përgjatë debateve ai kishte hedhur dyshimet se kjo ide është diskutuar edhe me zyrtarët amerikanë gjë që është hedhur poshtë në disa raste nga ambasadori Richard Grenell i dërguar i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet e paqes Kosovë – Serbi. Ai ka theksuar se një gjë e tillë nuk është diskutuar kurrë në prainë e tij.

Kryetarja e parlamentit të Kosovës, Vjosa Osmani, tha se ndryshimi i kufijve nuk mund të çojë në qëndrueshmëri, por mund të hap “kutinë e Pandorës” që nuk dihet ku mund të përfundojë.

“Absolutisht jam kundër çfarëdo ndryshimesh të territorit, ndërsa reciprociteti në anën tjetër është barazi dhe çdo vend që e ka njohur pavarësinë e Kosovës si vend sovran duhet të besojë në parimin e barazisë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, tha zonja Osmani.

Ish kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se gjatë kohës sa ishte në detyrë kishte kundërshtuar bisedimet jo transparente të ndërmjetësuara nga ish shefja e politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini dhe dyshimet e ngritura më herët se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri shqiptar Edi Rama dhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, po debatojnë prekjen e kufijve.

“Shqiptarët nuk jetojnë vetëm në Shqipëri dhe në Kosovë, por ka një komunitet të respektueshëm në Maqedoninë e Veriut, pastaj në Preshevë dhe në Mal të Zi. Nëse hapni rrugën e ndryshimit të kufijve, të paraqitur si korrigjim kufijsh apo sido që ta quajnë, ky rajon do të kthehej në flakë”, tha zoti Haradinaj, duke theksuar se në një rast të tillë perëndimi dhe Shtetet e Bashkuara do të ishin humbës.

Ish ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Arta Dade, tha se Serbia duhet t’i jap fund pengimit të Kosovës për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare dhe fushatës për të tërhequr njohjet e pavarësisë së Kosovës, ndërsa prekjani kufijve tha ajo “do të destabilizonte tërë rajonin dhe do të rrezikonte çdo gjë që është arritur deri tani”.

Sonja Biserko nga Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut në Serbi tha se Kosova nuk është angazhuar sa duhet për t’iu kundërvënë përpjekjeve të Beogradit për të tërhequr njohjet, ndërsa Beogradi shfrytëzoi “sentimentet antiamerikane në botë për të nxitur disa vende të vogla” bashkë me Rusinë për të tërhequr njohjet.

“Serbia nuk tërhiqet nga synimi për ndarjen e Kosovës sepse e ka mbështetjen e fuqishme të Rusisë, e cila luan këtë lojë vetëm që Serbia të përfitojë por për të arsyetuar ndarjet që ka nxitur ajo në vendet e saj fqinje”, tha zonja Biserko.

Miodrag Vllahoviç, ambasadori i Malit të Zi në Vatikan tha se nuk pret ndonjë zgjedhje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në muajt e ardhshëm për shkak të situatës në botë dhe zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara. Ai shprehu kundërshtimin e tij ndaj ideve për shkëmbim territoresh duke theksuar se do të ishte shumë e rrezikshme.

Ish ministri shqiptar i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, tha se trekëndëshi Vuçiç – Rama – Thaci i ka dhënë mundësi presidentit serb që të çojë përpara idenë për ndarjen e Kosovës dhe ndryshimit të kufijve.

“Vuçici luajti mençur duke siguruar jo vetëm mbështetjen e këtyre dy udhëheqësve për idetë e tij, por po ashtu vazhdon marrëdhëniet e fuqishme me (Vladimir) Putinin dhe Kinën ndërsa portretizon veten si pro evropian”, tha ai, duke nënvizuar se në Shqipëri, të gjithë përveç kryeministrit janë kundër shkëmbimit të territoreve. (b.a.)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG