Lidhje

Fondacioni Biberaj, ndan bursa për 40 studentë në Universitetin Amerikan në Kosovë


Fondacioni Biberaj me seli në Shtetet e Bashkuara, shpalli të hënën ndarjen e bursave të reja akademike, në vlerë prej 1 milionë e 160 mijë dollarësh, për 40 studentë për studimet “Bachelor” në Institutin Teknologjik të Roçesterit në Kosovë/Fondacioni i Universitetit Amerikan në Kosovë.

Bursa Familja Biberaj, që do të jepet përmes konkurrimit dhe që zgjat për katër vjet, u ofrohet 40 nxënësve me rezultate të larta akademike, që kanë nevojë për ndihmë financiare.

Në një njoftim të fondacionit thuhet se 36 bursa do t’u ndahen studentëve shqiptarë nga Tropoja, Plava, Gucia, Presheva, Tetova, Shkupi dhe pjesët rurale të Kosovës, dhe 4 bursa, studentëve që u përkasin grupeve të pakicave kombëtare në Kosovë.

Bursa Familja Biberaj synon që të paktën 50 për qind, e mundësisht deri në 75 për qind të bursave të jenë për studente. Përparësi do t’u jepet atyre që zgjedhin të studiojnë për shkencë, inxhinieri, teknologji, matematikë dhe gazetari.

Zëdhënësi i Fondacionit Biberaj, Ken Biberaj, tha se fondacioni “e për nderë të mbështesë këtë program të mrekullueshëm dhe krijues. Ashtu si familje të shumta që kanë emigruar në Amerikë, ne u jemi thellësisht mirënjohës Shteteve të Bashkuara për mundësitë dhe sukseset që kemi pasur. Kjo bursë e re u ofron një përvojë me të vërtetë globale këtyre të rinjve, me një theks të veçantë për gratë dhe degët e shkencave, inxhinierisë, teknologjisë, matematikës dhe gazetarisë.”

Administrimi i bursave dhe përzgjedhja e studentëve do të jetë përgjegjësi e RIT Kosovë (A.U.K.). Kolegji do të sigurojë akomodimin dhe ushqimin për bursistët.

Pas shpalljes së Bursës Familja Biberaj, Dr. Kamal Shahrabi, President i RIT Kosovë (A.U.K), falënderoi Fondacionin Biberaj duke mirënjohje që “Fondacioni Biberaj zgjodhi RIT Kosova (A.U.K) si institucionin e preferuar për arsimimin e përfituesve të Bursës Familja Biberaj. Bujaria e Fondacionit Biberaj do t’u krijojë mundësi 40 të rinjve nga Kosova dhe rajoni të ndjekin studime të standardeve të universiteteve amerikane pranë shtëpisë së tyre dhe me mundësi për të përjetuar përvojën amerikane. Bujaria e Fondacionit Biberaj është një tregues i qartë se Familja Biberaj pret nga të diplomuarit tanë të krijojnë një të ardhme më të mirë për Kosovën dhe rajonin”, tha ai.

Në bazë të kërkesave të Bursës Familja Biberaj, çdo student duhet të punojë në një nga muajt e verës, gjatë çdo viti akademik, në shërbim të komunitetit në rajonin e lindjes dhe çdo student duhet të përfundojë programin “Capstone” deri në fund të studimeve katër vjeçare. Po ashtu, çdo student duhet të ndjekë për një semestër, studimet në Shtetet e Bashkuara, në bazë të Programit Global të Studimeve të Institutit të Teknologjisë në Roçester, në kampusin e Nju Jorkut. Për të ruajtur të drejtën e bursës, çdo student duhet të mbajë një mesatare të lartë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG