Lidhje

Tarifat e Kosovës ndaj mallrave serbe dhe trysnia ndërkombëtare


Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha të martën se tarifat ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja mbeten në fuqi, me gjithë trysninë e shtuar ndaj qeverisë për anulimin e tyre.

Ai i bëri këto komente pas mbledhjes së qeverisë së Kosovës e cila u mbajt pak pas një takimi që ai dhe kryetari i parlamentit, Kadri Veseli, zhvilluan me ambasadorin amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, për të diskutuar situatën e krijuar pas vendimit të qeverisë për tarifat.

Presion ndërkombëtar për anulimin e tarifave të Kosovës ndaj Serbisë
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:05 0:00

Kryetari i parlamentit shkroi në facebook për takimin, duke theksuar se vendimet e institucioneve të Kosovës, për procese të rëndësishme, "do të jenë në interes të qytetarëve dhe në bashkërendim të plotë me Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tjerë ndërkombëtarë. Kosova, shkroi ai, është e vendosur që përjetësisht ta ruajë miqësinë dhe partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kjo nuk do të ndryshojë asnjëherë", shkroi ai.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se dëshiron t’i dëgjojë sugjerimet dhe thirrjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian për shfuqizimin e tarifës.

"Edhe ne kemi dëshirë që të heqim taksën, me të vërtetë kemi dëshirë me heq dhe e synojmë heqjen e taksës edhe për shkak se është sugjerim i aleatëve tanë, i Amerikës, por edhe pse e ndërlidhim heqjen e taksës me një marrëveshje gjithëpërfshirëse në mes të Kosovës e Serbisë për njohje. Pra edhe ne kemi dëshirë dhe synojmë që sa më shpejt ta heqim. E kishim heq sot ju siguroj sikur të arrinim një marrëveshje pra gjithëpërfshirëse për njohje reciproke", tha kryeministri Haradinaj.

Në nëntor të vitit të kaluar, qeveria e Kosovës vendosi një tarifë prej 100 për qind ndaj mallrave nga Serbia si kundërpërgjigje ndaj siç u tha fushatës agresive të Serbisë ndaj shtetësisë së Kosovës.

Bashkimi Evropian, reagoi duke kërkuar heqjen e këtyre tarifave madje dërgoi dy herë brenda një periudhë të shkurtër në Prishtinë, komisionarin Johannes Hahn, për të diskutuar këtë çështje.

"Komisionari Hahn është ofruar për ndihmë dhe ne i kemi thënë që mundet të na ndihmojë duke përgatitur kapitullin e tregtisë së lirë. Kapitulli i tregtisë së lirë nënkupton krejt marrëdhëniet Kosovë-Serbi në ekonomi. Edhe sikur të merremi vesh për një ngjarje si, për shembull si një ngjarje si Rambouillet, apo ndonjë tjetër ku të mblidhen dhe u mbyllet dera dhe deri sa të gjendet zgjidhja nuk i lëshojnë të dalin edhe atëherë kur të biem dakord, ajo nënkupton të mos ketë pengesa tjera, nuk bën të suspendohet tarifa e pastaj ai të mos i pranoj tabelat. Pra nuk ka më marrëdhënie ku vetëm Kosova e hap derën, ka ndryshuar gjendja shumë, mirëpo nuk jemi ende aty, por tarifat janë në fuqi dhe ju e dini, tarifat suspendohen apo anulohen vetëm me vendim të qeverisë dhe nuk ka si të ndodh ndryshe", tha kryeministri Haradinaj.

Ramush Haradinaj
Ramush Haradinaj

Beogradi kushtëzon vazhdimin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën me heqjen e tarifave dhe Bashkimi Evropian por edhe Shtetet e Bashkuara e shohin heqjen e saj si hapje rruge për vazhdimin e bisedimeve.

Kërkesa e Shteteve të Bashkuara ka bërë që të shtohen zërat për ndryshimin e vendimit të qeverisë, ndërsa presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj, në konferenca, takime e në rrjetet sociale po shkëmbejnë qëndrime kundërshtuese me njëri tjetrin.

Nuk ka veprim më strategjik se sa kultivimi dhe fuqizimi i raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës me raport të posaçëm nuk ka. Shteti i Kosovës cenohet vetëm atëherë kur ne lëndojmë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kushdo që të jetë ai, qoftë udhëheqës institucional, qoftë udhëheqës opozitar, deputet apo ministër dhe këtë të drejtë morale, as politike, as kombëtare, demokratike, kushtetuese, nuk e ka njeri i gjallë në Kosovë. Raportet me SHBA-të janë më të rëndësishme se sa çdo interes momental”, tha të hënën, presidenti Thaçi.

Hashim Thaçi
Hashim Thaçi

"Më vjen keq që disa në Kosovë po mundohen që të prijnë para temave, i shoh që janë ligë, disa parti politike kanë filluar që të na japin sugjerime të ndryshme. Më mirë është që të mendojnë për fëmijët e vet, të ardhmen e fëmijëve të tyre, njëzet vjet nuk kanë dhanë shumë sukses të qasjes të pabarabartë dhe ne nuk e bëjmë këtë kundër Serbisë e veç për vete, por është në të mirën e rajonit dhe në të mirën e të gjithëve që jetojmë në Kosovë, më në fund të mbyllen çështjet e hapura Kosovë-Serbi. Por që të mbyllen po kërkohet që secili t’i ketë të qarta pozicionet e veta. Kosova pra nuk është më ajo Kosovë që i kanë thënë çfarë të bëj, harroni këtë. Duhet të kuptojnë që ka ndryshuar Kosova, është një Kosovë tjetër është sovrane, merr vendime, pra vendimi i tarifës nuk është marr në konsultim me askënd, është vetëm i Kosovës dhe mund të mbetet përgjithmonë. Jemi të interesuat që ta heqim por nuk largimi i saj nuk është siç kanë menduar që ndodhin disa punë diku tjetër", tha kryeministri Haradinaj.

Dallimet ne qasje rreth tarifave bashkë më trysninë ndërkombëtare, sipas vëzhguesve, po e lëkundin koalicionin qeverisës që edhe ashtu nuk e ka shumicën në parlament.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG