Lidhje

O’Brien: Mezi presim diskutimet Kosovë – Serbi në Shtëpinë e Bardhë


Këshilltari amerikan i Sigurisë Kombëtare, Robert O’Brien tha të martën mbrëma se Shtetet e Bashkuara mezi po presin për takimin e paralajmëruar për 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në një postim në rrjetin twitter zoti O’Brien shkroi se është i kënaqur “të presë udhëheqësit e Serbisë dhe Kosovës me Richard Grenellin në Shtëpinë e Bardhë. Shtetet e Bashkuara janë duke pritur me padurim këto diskutime të rëndësishme”, shkroi ai.

Richard Grenell, i dërguari i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet Kosovë – Serbi, tha se palët do të takohen më 27 qershor në Uashington pasi kishte marrë “premtimin nga qeveritë e Kosovës dhe të Serbisë për të ndërprerë përkohësisht fushatën e tërheqjes së njohjeve dhe të kërkesave për anëtarësim në organizata ndërkombëtare”.

Ai paralajmëroi se “nëse ndonjëra palë mbetet e pakënaqur me diskutimet e 27 qershorit, atëherë ato do të kthehen në ‘status quo’ pasi të largohen nga Uashingtoni. Siç kemi thënë vazhdimisht, së pari duhet të përparojmë në zhvillimin e ekonomive. Ky është përqendrimi. I pres me padurim këto diskutime”, shkroi ai të hënën.

Zyrtarët më të lartë në Prishtinë dhe në Beograd thanë se do të shkojnë në Shtëpinë e Bardhë por pritjet e tyre janë të ndryshme. Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, tha se ky proces, “dhe kjo është thënë qartë në letrat që i ka dërguar vetë presidenti Trump, është për njohjen e ndërsjellë në mes të Kosovës dhe Serbisë”.

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, tha se “njohja e Kosovës nuk do të jetë temë diskutimesh në Washington”.

Ftesa për takimin në Shtëpinë e Bardhë u bë në ditën kur Bashkimi Evropian nisi për në rajon të dërguarin e tij të Posaçëm Miroslav Lajcak që të provojë rifillimin e bisedimeve të pezulluara ndërmjet të dyja vendeve.

Bisedimet u pezulluan në vjeshtën e vitit 2018 pasi që Kosova u vuri tarifa prej 100 për qind mallrave serbe si shenjë kundërvënieje ndaj qasjes së Beogradit ndaj shtetësisë së saj.

Në muajin prill të këtij viti qeveria e ish kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, i hoqi tarifat por i zëvendësoi ato me masat e reciprocitetit ndaj Serbisë.

Kryeministri i ri Avdullah Hoti, i hoqi edhe këto masa duke hapur rrugën për rifillimin e bisedimeve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG