Lidhje

Ambasada amerikane: qeveria të heqë tarifat tani


Ambasada amerikane në Prishtinë i bëri thirrje të mërkurën qeverisë së Kosovës që të heqë tarifat ndaj mallrave serbe.

Në një komunikatë të kësaj ambasade thuhet se “në kohëra si këto, bashkëpunimi rajonal dhe ndërkombëtar është thelbësor. Është koha për Kosovën dhe fqinjët të mënjanojnë pengesat për lëvizjen e lirë të mallrave. Sërish i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës të hedhë hapin e parë të guximshëm dhe ti heqë tarifat tani”, thuhet në komunikatë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte paralajmëruar që më 15 mars të filloje heqja e kushtëzuar e tarifave ndaj mallrave serbe. Por, tri ditë më parë ai shkroi në rrjetet sociale se “kjo nuk do të ndodhë sepse qëndrimi im i shprehur më 26 shkurt 2020 ndërkohë nuk u bë vendim. Më vjen keq për këtë. Ende nuk kam arritur ta bind partnerin tonë të koalicionit qeverisës, LDK-në, për atë që vetë jam i bindur: zëvendësimi gradual i tarifës me reciprocitetin është mënyra më e mirë, më e drejtë dhe më e dobishme”.

Lidhja Demokratike nuk është pajtuar me qëndrimin kryeministrit për heqjen e kushtëzuar të tarifave ndaj mallrave serbe, duke kërkuar që ato të hiqen tërësisht sipas kërkesës së Shteteve të Bashkuara, të cilat tashmë kanë pezulluar programe dhe kanë paralajmëruar sanksione të tjera nëse kjo nuk ndodhë.

Të vendosura në në nëntor të vitit 2018, tarifat çuan në pezullimin e bisedimeve Kosovë – Serbi për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Thirrja e ambasadës amerikane ndodhi në një periudhë kur Kosova dhe rajoni po përballen me pasojat e koronavirusit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG