Lidhje

Marina amerikane: incidentet e luftanijeve, të shmangshme


Sipas drejtuesit më të lartë të marinës amerikane, dy incidentet e këtij viti ku u përfshinë luftanijet amerikane me dy anije tregtare në ujërat e Paqësorit perëndimor ishin "të shmangshëm" dhe ndodhën për shkak të standardeve të ulëta dhe përgatitjes së dobët.

Në një raport të publikuar të mërkurën, marina arriti në përfundimin se "dështimet e shumta" nga ana e drejtuesve dhe ekuipazheve të dy anijeve, kontriubuan në ngjarjet me pasoja vdekjeprurëse. Ato përfshijnë dështimin në planifikimin e sigurisë, si dhe dështimin në respektimin e praktikave të duhura të lundrimit dhe zbatimin e procedurave bazë të vëzhgimit.

"Të dyja këto aksidente ishin të parandalueshme", - tha shefi i Operacioneve Detare, Admirali John Richardson.

Në muajin gusht luftanija amerikane John S. McCain u përplas me një çisternë nafte jashtë ujërave të Singaporit, duke lënë të vdekur 10 marinarë amerikanë dhe pesë të plagosur. Në qershor, luftanija tjetër amerikane Fitzgerald, u përplas me një anije tregtare në ujërat jashtë Japonisë dhe si pasojë u vranë shtatë marinarë.

Incidentet nxitën marinën amerikane të rishikojë operacionet e saj në mbarë botën.

Para se të përfundonte hetimi, admirali John Richardson pati fajësuar për incidentin ritmin e lartë të operacioneve, pasigurinë me buxhetin dhe drejtuesit e marinës që patën vendosur misionin përpara sigurisë së marinarëve.

Në shtator zoti Richardson i tha Komisionit për Shërbimet e Armatosura në Senat se një dështim i udhëheqjes gjatë gjithë shërbimit ishte faktori kryesor që kontribuoi në mungesën e gatishmërisë së Marinës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG