Lidhje

John McCain në Beograd


Senatori amerikan, John McCain, tha të hënën në Beograd se çdo gjë që ndodhë në Evropën Juglindore është me rëndësi jetike për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.

Ai i bëri këto komente pas takimit me kryeministrin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili fitoi zgjedhjet presidenciale serbe më 2 prill.

Senatori amerikan vlerësoi siç tha, përparimin e Serbisë në reformat drejt integrimeve evropiane, duke theksuar se Serbia luan një rol thelbësor si "fuqi e pajtimit" por edhe si ekonomi në rajon.

"Jam optimist se me kohë të gjitha vështirësitë e Serbisë në rrugën e integrimeve evropiane do të tejkalohen", tha senatori amerikan, i cili siç tha ka biseduar me kryeministrin serb edhe për rëndësinë e bisedimeve ndemjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

"Procesi i bisedimeve është i vështirë, por duke falënderuar presidentin (Tomislav)Nikoliç dhe Vuçiçin si dhe bashkëbiseduesit e tyre në Prishtinë, ky dialog ka sjellë përparime", tha senatori McCain. Ai tha se duhet kurajë për vazhdimin e një procesi të tillë dhe se këtë mesazh do ta transmetojë edhe në Kosovë gjatë kësaj jave.

Senatori McCain tha se bashkëpunimi i dy vendeve është me rëndësi për luftën kundër terrorizmit.

"Jam krenar që Shtetet e Bashkuara edhe më tej janë partneri me aktiv ushtarak i Serbisë me mbi 90 veprimtari të përbashkëta në vit", tha ai.

Senatori McCain tha se mesazhi i tij për senatin, presidentin dhe popullin amerikan është se "ajo çfarë ndodhë në Evropën Juglindore është me rëndësi jetike për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara".

Ai tha se me presidentin e zgjedhur serb ka biseduar edhe për faktin se, siç tha, dy luftëra botërore kanë filluar në këtë rajon dhe nuk duhet lejuar krijimin e një situate që do të përkeqësonte gjendjen në këtë zonë.

Ai ka shprehur me këtë rast edhe shqetësimin e tij me sjelljen ruse, përfshirë edhe "përpjekjet e paradokohshme për të rrëzuar qeverinë në Mal të Zi".

Duke folur për zhvillimet e fundit në Siri, senatori McCain tha se Rusia pa dyshim kishte njohuri për përdorimin e armëve kimike nga forcat besnike të presidentit Bashar Al-assad.

Kryeministri serb tha se me senatorin amerikan është diskutuar për çështjet që kanë të bëjnë me qëndrueshmërinë e rajonit, dhe pjesëmarrjen e Serbisë në stërvitjet përbashkëta ushtarake, ndërsa theksoi se gjatë bisedës ka nënvizuar këmbënguljen e Serbisë për qëndrim neutral ushtarak ndaj NATO-s dhe Rusisë.

Senatori McCain shkoi në Beograd pas vizitave në Slloveni e Kroaci, ndërsa gjatë javës do të qëndrojë në Bosnje, Mal të ZI, Kosovë dhe Shqipëri.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG