Lidhje

Presidentët e Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës, vlerësojnë marrëveshjen


Presidenti amerikan Donald Trump dhe ai meksikan Andres Manuel Lopez Obrador, po ngrenë lart një marrëveshje për të pakësuar fluksin e imigrantëve të Amerikës Qendrore në kufirin mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës, falë së cilës zoti Trump anuloi tarifat ndaj eksporteve meksikane ndaj Shteteve të Bashkuara. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Michael Bowman njofton nga Uashingtoni ku shumë ligjvënës republikanë po shprehen të lehtësuar ndërsa demokratët po hedhin poshtë pretendimin e presidentit Trump për fitore.

Presidenti Trump ishte entuziast në komentet e tij në Twitter: “Të gjithë, shumë të kënaqur për marrëveshjen e re me Meksikën!” “Tani do të ketë shumë bashkëpunim mes Meksikës dhe Shteteve të Bashkuara, gjë që nuk kishte ekzistuar për dekada.”

Në Tijuana, Presidenti meksikan Lopez Obrador vlerësoi shmangien e një lufte tregëtare.

“Ne festojmë këtë marrëveshje të rëndësishme sepse ishte një situatë shumë e vështirë dhe do të kishte qenë e pakëndshme të vendosnim tarifa ndaj disa prodhimeve amerikane, të njejtat masa, kufizime të ngjashme tregëtare si ato që do të vendoseshin ndaj mallrave meksikane”, tha ai.

Sipas marrëveshjesm, Meksika do ta patrullojë më mirë kufirin jugor me Guatemalën dhe do t’i mbajë në territorin e saj, migrantët që kërkojnë azil, ndërsa rastet e tyre dëgjohen në Shtetet e Bashkuara.

Në një deklaratë, kreu i shumicës republikane në senat, Mitch McConnell tha se “ishte lajm i mirë … që familjet amerikane nuk do të goditen nga rritja e çmimeve që do të ishte shkaktuar nga tarifat e rejandaj importeve të Meksikës”. Senatori McConnell bëri gjithashtu thirrje për më shumë fonde për operacione përgjatë kufirit SHBA-Meksikë, duke akuzuar demokratët se “po zvarritin procesin” dhe po bëjnë “lojra politike”.

Ndërkohë demokratët thonë se vetë veprimet e zotit Trump e kanë thelluar krizën e imigrantëve dhe se marrëveshja me Meksikën nuk ishte rezultat i një aftësie diplomatike të Shtëpisë së Bardhë.

“Presidenti po e ekzagjeron së tepërmi arritjen e tij. Këto janë marrëveshje që Meksika i kishte bërë që më parë, madje disa muaj më parë…Domethënë, presidenti nuk arriti asgjë përveçse rrezikoi marrëdhënien më të rëndësishme tregëtare që kanë Shtetet e Bashkuara. 6 milionë vende pune në këtë vend varen nga tregëtia SHBA-Meksikë”, tha kandidati demokrat për president, Betto O'Rourke.

Për imigrantët e Amerikës Qendrore, udhëtimi për në Shtetet e Bashkuara pritet të vështirësohet edhe më shumë.

“Gjithkush duhet të mendojë për arsyet që na bëjnë ne të emigrojmë dhe të lëmë familjet tona, vendin tonë dhe të shkojmë në një vend tjetër. Në vend që të mbyllin dyert, ata duhet të na japin një mundësi për të demonstruar që ne jemi njerëz që duam punë. E vetmja gjë që duam është një e ardhme më të mirë për fëmijët dhe familjet tona”, thotë Reyna Vazquez, imigrante hondurase në Meksikë.

Disa thonë se nuk do të zmbrapsen. Një prej tyre është Josue Arenal

“Mund të mbyllni kufirin, mund të ndërtoni mijëra mure dhe të gjitha do t’i kapërcejmë. Përmes tokës, ajrit, gjithmonë do të hyjmë. Le të bëjë ç’të dojë Donald Trumpi”.

Numri i imigrantëve që arrijnë në kufirin SHBA-Meksikë ka kapur shifrën 100 mijë në muaj, përfshirë një numër rekord familjesh dhe të miturish të pashoqëruar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG