Lidhje

FSK - reagojnë SHBA, NATO


Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja janë shprehur të shqetësuara me paralajmërimet për ndryshimin e mandatit dhe misionit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, pa ndryshime kushtetuese.

Në një deklaratë të ambasadës amerikane në Prishtinë, thuhet se "Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të shqetësuara për synimin e paralajmëruar të Kosovës për ndryshimin e mandatit të Forcës së Sigurisë së Kosovës pa amandamente kushtetuese:

"Ne e mbështesim transformimin gradual dhe transparent të Forcës së Sigurisë së Kosovës në një forcë shumetnike në përputhje me standardet e NATO-s. Megjithatë, ky transformim duhet të bëhet në pajtim me Kushtetutën e Kosovës dhe përmes një procesi politik gjithëpërfshirës dhe përfaqësues që pasqyron demokracinë shumetnike të Kosovës. Ne jemi të gatshëm të angazhohemi në një proces këshillues me të gjithë hisedarët për ta arritur qëllimin tonë të përbashkët për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në mënyrë të tillë që e rritë sigurinë e Kosovës, i kontribuon stabilitetit rajonal, dhe që përkrahë Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit Euro-Atlantik.Miratimi i ligjit të propozuar tani do të na detyronte që ta rivlerësojmë bashkëpunimin tonë dypalësh me forcat e sigurisë të Kosovës si dhe ndihmën tonë afatgjatë për këto forca", thuhet në deklaratë.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, është shprehur i shqetësuar me planet e autoriteteve të Kosovës për ndryshimin e misionit te Forcës së Sigurisë.

Sekretari Stoltenberg tha nëpërmjet një deklarate se ka biseduar në telefon me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi dhe me kryeministrin, Isa Mustafa, “që t’iu përcjellë shqetësimet serioze të aleatëve të NATO-s për propozimin e fundit të autoriteteve të Kosovës për ta transformuar Forcën e Sigurisë së Kosovës në një Forcë të Armatosur, pa ndryshime Kushtetuese. E kam bërë të qartë se hapat e njëanshëm siç janë këta janë të padobishëm dhe u bëj thirrje autoriteteve të Kosovës që të jenë në kontakt të ngushtë me Beogradin”, thuhet në deklaratë.

“Në vitet e fundit, NATO-ja ka mbështetur zhvillimin e Forcës së Sigurisë si një forcë profesionale dhe shumëkombëshe. Struktura, mandati dhe misioni i saj janë çështje të institucioneve të Kosovës në përputhje me Kushtetutën e tyre. Megjithkëtë, nëse mandati i FSK-së evoluon tani në mënyrën e propozuar, NATO-s do t’i duhet ta rivlerësojë nivelin e përkushtimit të saj, posaçërisht në fushën e ndërtimit të mundësive të saj. Këtë e kam bërë të qartë gjatë vizitës sime në Kosovë në muajin shkurt dhe e kam ripërsëritur në bisedat telefonike të zhvilluara sot. Jam në kontakt të vazhdueshëm me partnerët e mi në Bashkimin Evropian", thuhet në deklaratën e sekretarit Stoltenberg.

Të martën presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i dorëzoi kryetarit të parlamentit projektligjin për ndryshimin e misionit dhe detyrave të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Presidenti Thaçi tha në një intervistë me Zërin e Amerikës se "Forca e Sigurisë do të luajë rolin dhe detyrat si çdo ushtri e çdo vendi të pavarur dhe sovran. Do të jetë në shërbim të çdo qytetari të Kosovës, do të jetë forcë shumë etnike dhe do të ruaj tërësinë territoriale dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës".

Ai bisedoi të martën në telefon me kryeministrin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, për procesin e bisedimeve ndërmjet të dyja vendeve si dhe vizitën e fundit në rajon të shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.

Por, mediat në Serbi thanë se gjatë bisedës telefonike, kryeministri serb është përplasur ashpër me presidentin Thaçi, për siç thuhet formimin e Ushtrisë së Kosovës. Sipas mediave serbe, kryeministri serb ka thënë se formimi i ushtrisë do të sjellë paqëndrueshmëri për të gjithë.

Ndërsa ministri i jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç gjatë një konference për gazetarë tha se Serbia do të kundërshtojë formimin e Ushtrisë së Kosovës, sepse sipas tij kjo nuk është as në pajtim me rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

“Çfarë mund të bëjë Serbia? Serbia do të ndërmarrë të gjitha hapat politikë, mirëpo siç e dini ata marrin vendime të njëanshme, duke mos pyetur jo vetëm Serbinë por as ata që gjatë tërë kohës i kanë mbështetur, por megjithatë pasojat e kësaj politike nxisin destabilizim të rajonit”, tha ai duke nënvizuar se këto forca nuk do të mund të shkojnë në territoret ku jetojnë serbët pa lejen e forcave paqeruajtëse të NATO=s.

Por, veprimet e autoriteteve në Prishtinë për shndërrimin e misionit të Forcave të Sigurisë në këtë mënyrë më herët nuk kanë pasur përkrahje nga faktorët ndërkombëtarë në Kosovë të cilat vazhdimisht kanë deklaruar se kjo çështje duhet të zgjidhet nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese dhe me marrëveshje me përfaqësuesit serb në Kosovë.

Presidenti Hashim Thaçi tha gjatë intervistës me Zërin e Amerikës se ka “besim të plotë se edhe bashkësia ndërkombëtare do të jetë reflektuese në mirëkuptimin e këtij angazhimi shumë të drejtë të institucioneve të Kosovës”.

Tre vjet më parë, qeveria e Kosovës vendosi që Forca e Sigurisë së Kosovës të shndërrohet në Forcat e Armatosura, që do të kenë 5 mijë pjesëtarë aktiv dhe tre mijë rezervë.

Ngritja e tyre nënkuptonte miratimin e ligjit për formimin e tyre dhe ndryshime në kushtetutën e vendit. Veprimet e tilla kërkojnë dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve të Parlamentit dhe dy të tretat e votave të pakicave kombëtare.

Por, këto ndryshime janë pamundësuar për shkak të mospajtimeve të përfaqësuesve politikë të serbëve të Kosovës të cilët bashkë me Beogradin vazhdojnë të kundërshtojnë ngritjen e tyre. Ata thonë se një gjë e tillë është e papranueshme dhe rrezikon sigurinë e rajonit.

Pamundësia për të siguruar votën e deputetëve të pakicës serbe ka shtyrë autoritetet në Kosovë për ndryshimin e ligjit aktual mbi Forcën e Sigurisë së Kosovës, nëpërmjet të cilit do t’i shtoheshin përgjegjësitë kësaj force.

Forca e Sigurisë së Kosovës u themelua në janar të vitit 2009 në bazë të planit të kryenegociatorit të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, në bazë të të cilit edhe është shpallur pavarësia e Kosovës.

XS
SM
MD
LG