Lidhje

SHBA do t'i japë "përgjigje masive ushtarake" çdo kërcënimi nga Koreja e Veriut


Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis, tha se çdo kërcënim i Koresë së Veriut ndaj Shteteve të Bashkuara ose aleatëve të saj do të përballet me një "reagim masiv ushtarak ... efektiv dhe dërmues".

Sekretari Mattis foli jashtë Shtëpisë së Bardhë pasi që ai dhe këshilltarë të tjerë të lartë u takuan me presidentin Donald Trump, pas provës së një bombe me hidrogjen që kreu të dielën Koreja e Veriut.

Mattis tha se Shtetet e Bashkuara kanë shumë mundësi në tryezë, përfshirë dhe veprimet ushtarake dhe presidenti dëshironte dëgjonte mbi të gjitha ato.

Shefi i Pentagonit tha se Shtetet e Bashkuara "nuk janë duke kërkuar asgjësimin e tërësishëm të Koresë së Veriu". Megjithatë ai u tha gazetarëve se Shtetet e Bashkuara kanë aftësinë të mbrojnë veten dhe aleatët dhe se përkushtimi i Amerikës ndaj aleatëve është "i hekurt".

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka ftuar një takim emergjent për të hënën lidhur me situatën në Kore.

Presidenti Trump tha më herët se po shqyrton mundësinë e ndërprerjes së tregtisë me çdo vend që bën biznes me Korenë e Veriut dhe nuk përjashtoi mundësinë e një sulmi si përgjigje ndaj veprimeve të Phenianit.

Koreja e Veriut kreu të dielën provën e gjashtë bërthamore, duke thënë se ka shpërthyer me sukses bombën bërthamore me hidrogjen, që mund të vendoset në një raketë ndërkontinentale. Sipas njoftimeve, shpërthimi ka tronditur ndërtesa deri në Kinë dhe në Rusi.

Thirrja për bojkotim ekonomik ndaj vendeve që kanë marrëdhënie biznesi me Korenë e Veriut do të dëmtonte tregtinë me vlerën vjetore të rreth 650 miliardë dollarëve mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës. Pekini është i vetmi vend dhe partneri më i madh tregtar i Phenianit.

Sekretari amerikan i Thesarit Steve Mnuchin tha në një intervistë për televizionin “FOX NEËS” se është duke u shqyrtuar një paketë e re sanksionesh ekonomike ndaj Koresë së Veriut.

"Ne do të bashkëpunojmë me aleatët tanë, do të bashkëpunojmë me Kinën - tha ai, - por duhen prerë marrëdhëniet ekonomike me Korenë e Veriut, për shkak të sjelljes së papranueshme të këtij vendi."

Një zyrtar amerikan i zbulimit tha se SHBA nuk kanë dyshim se Koreja e Veriut ka shpërthyer një bombë bërthamore, 10 herë më të fuqishme se sa atë që aktivizoi një vit më parë.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres e dënoi provën bërthamore të Koresë së Veriut si "një veprim thellësisht destabilizues për sigurinë rajonale".

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG