Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo shkon në Azi të shtunën, ku do të takohet me udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong Un të dielën, pasi palët fillojnë të bëjnë përgatitjet për një takim të dytë të nivelit të lartë midis Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Veriut. Ndërkohë që Uashingtoni e kishte parashikuar për njëfarë kohe, ky udhëtim ndodhi pikërisht disa ditë pasi Seul pranoi se Pheniani mund të ketë rezervuar deri në 60 armë bërthamore. Puna për krijimin e një kornize diskutimesh mbi çnuklearizimin mund të jetë e vështirë.
Një vit pasi Korea Veriut filloi të bëjë lëshime për programin e saj bërthamor, një numër gjithnjë e më i madh vendesh kanë kërkuar zbutjen e sanksioneve si një nxitje pozitive për sjelljen e Phenianit, - thotë Evan Rees, analist i Universitetit Straford për çështjet e Azisë e Paqësorit.
"SHBA-ja me të vërtetë ka arritur në pikën ku presioni maksimal po bëhet gjithnjë e më i vështirë për t'u mbajtur, veçanërisht përballë presioneve nga Kina dhe Rusia", - thotë Evan Rees.
Muajin e kaluar, Pekini dhe Moska i bënë thirrje Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që të rivlerësojnë sanksionet ndaj Phenianit. Ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi, tha se lidhjet e ngrohta dhe "zhvillimet pozitive" midis Koresë së Veriut dhe asaj të Jugut, si dhe marrëdhëniet më të mira me Shtetet e Bashkuara, duhet të çojnë në lehtësimin e sanksioneve.
Uashingtoni nuk është dakord, duke thënë se sanksionet ekonomike kundër Veriut do të mbeten në vend.
"Zbatimi i sanksioneve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së duhet të vazhdojë fuqishëm dhe derisa ta kuptojmë se çnuklearizimi është i plotë, përfundimtar dhe i vërtetuar", - tha sekretari Pompeo gjatë kryesimit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së muajin e kaluar, duke u bërë thirrje anëtarëve "të japin shembullin në këtë përpjekje dhe të mbajnë njëri-tjetrin përgjegjës".
Por nuk janë vetëm aleatët e Koresë së Veriut që kërkojnë rishqyrtimin e sanksioneve. Seuli ka kërkuar përjashtimin e disa sanksioneve për të kryer përpjekjet e bashkëpunimit ndër-korean.
Shkencëtari politik i Korporatës "Rand", Michael Mazarr, tha nëse vetëm Uashingtoni po përpiqet të ndikojë fuqinë e tij ekonomike për të detyruar vendet e tjera të mbajnë sanksione që ata nuk duan të mbajnë, ky është një pozicion diplomatik shumë i keq.
Detyra e Pompeos: të përgatisë skenën e takimit
Analistët thonë se ky takim i dytë i nivelit të lartë duhet të japë diçka më thelbësore, se sa takimi i 12 qershorit në Singapor.
Analisti Mazarr mendon se, nëse sekretari Pompeo do të ishte në gjendje të siguronte një paketë masash për të dyja palët, për të marrë ato që "janë të rëndësishme nga pikëpamja e Koresë së Veriut" që përfundimisht çojnë në çmontimin e disa pajisjeve nën inspektorët ndërkombëtarë, "mendoj se kjo do të jepte legjitimitet shumë të rëndësishëm për idenë se procesi i reduktimit të tensioneve dhe ndërtimi i besimit ... do të çojë drejt hapave praktikë të çnuklearizimit".
Disa teorizojnë se një deklaratë për qasjen e deklarimit është e nevojshme për ta çuar përpara procesin. Por që Shtetet e Bashkuara të lëvizin drejt shpalljes së një fundi të luftës, analisti Rees thekson kryerjen e disa lëshimeve nga Koreja e Veriut.
Ai thotë se kjo do të jetë një sfidë, pasi Pheniani mendon se ka bërë shumë deri tani, duke përmendur mungesën e provave me raketa dhe bërthamore, përveç shpërbërjes së objekteve të testimit të Punggye-ri dhe Sohae (Tongchang-ri).
Megjithatë, Koreja e Veriut tha, përmes komentimit në faqen e saj të lajmeve shtetërore KCNA, se "shpallja e përfundimit të Luftës Koreane "nuk mund të jetë kurrë një kusht në bisedime" për të nxitur Korenë e Veriut të çnuklearizohet, duke shtuar se zyrtarisht shpallja e një fundi të konfliktit duhet të jetë "zgjidhur gjysmë shekulli më parë".
Javën e kaluar në Nju Jork, Ministri i Jashtëm i Koresë së Veriut, Ri Yong Ho, e quajti bllokimin e tanishëm mbi çnuklearizim, si fajin e Uashingtonit.
"Bllokimi i kohëve të fundit ndodhi sepse SHBA-ja mbështetet në masa shtrënguese të cilat janë vdekjeprurëse për krijimin e besimit", tha ai.
Analisti Mazarr i tha Zërit të Amerikës se veprimet e kaluara të Shteteve të Bashkuara kanë qenë gjithashtu të dëmshme.
"Një nga dështimet ishte se Koreja e Veriut nuk mori përfitimet ekonomike që mendonte se do të merrte" - tha ai.
"Një nga mësimet që mendoj se Koreja e Veriut mësoi, ishte kur u përkul para SHBA-së dhe filloi të lëvizë në drejtim të çnuklearizimit, ajo duhej të ishte absolutisht e sigurtë se për çdo lëshim që do të bënte do të merrte një përfitim," - shton analisti Mazarr.
Kjo e çon analistin Mazarr në përfundimin, se Pheniani nuk do të pranojë çnuklearizim të plotë, para se të hiqen sanksionet, ose pengesat e tjera të vendosura nga Uashingtoni.
Përparësia: Pheniani
Analisti Rees thotë se një farë mase, "SHBA e kanë humbur avantazhin në negociata; duke ardhur në tryezë në radhë të parë dhe duke qenë më pajtues dhe më bashkëpunues, ngaqë sjellja kundërshtuese nuk jep më rezultat."
Kjo ishte e dukshme, - thotë Rees, - nga veprimet e Kinës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ku ai i portretizoi Shtetet e Bashkuara si "djali i keq në këtë situatë", duke thënë se Uashingtoni e provokoi Korenë e Veriut, për t'i bërë gjërat më keq.
Analisti Mazarr, gjithashtu sugjeron se Koreja e Veriut mund të ketë një pozitë më të fortë negociuese, për shkak të përpjekjeve të bëra nga administrata Moon, për të lehtësuar lidhjet më të mira ndër-koreane.
"Nëse Shtetet e Bashkuara do të përpiqeshin t’i thonin "JO" Koresë së Veriut, kjo nuk mjafton. Nuk është e rëndësishme sa duhet. Ne kërkojmë më shumë". Dhe pyetja e mundshme e Koresë së Veriut do të jetë "Ose përndryshe çfarë?", Sepse Koreja e Jugut nuk do të pranojë asnjë lloj kërcënimi ushtarak, - u shpreh analisti Mazarr
Facebook Forum