Lidhje

Obama ndalon izolimin për të miturit në burgje


Presidenti amerikan, Barack Obama, ka miratuar reforma në sistemin e burgjeve federale, që përfshijnë ndalimin e izolimit për të burgosurit e mitur dhe kufizimin e përdorimit të kësaj mase edhe për të rriturit.

Në një tekst të botuar të hënën vonë në The Washington Post, Obama tha se ka më shumë se 100 mijë të dënuar me izolim në Shtetet e Bashkuara dhe kjo praktikë shkakton pasoja "shkatërruese psikologjike".

"Shtetet e Bashkuara janë vend i mundësisë së dytë, por përvojat e izolimit shpesh e dëmtojnë atë mundësi", tha ai. "Ata që i nënshtrohen shpesh kësaj praktike, kanë problem të mbajnë pastaj vendet e punës, të ribashkohen me familjet dhe të bëhen anëtarë të vyeshëm të shoqërisë".

Aktualisht ka rreth 200 mijë të burgosur federal dhe Obama tha se eliminimi i izolimit për të miturit dhe ata që kanë kryer veprime "më të lehta" do të ndikojë tek rreth 10 mijë njerëz.

Vetëm disa prej të prekurve janë të mitur, meqë sipas të dhënave të Zyrës së Burgjeve, vetëm 26 të burgosur janë nën moshën 18 vjeçare.

Presidenti është duke miratuar rekomandimet nga një raport Departamentit të Drejtësisë që ishte përgatitur pasi që ai urdhëroi një rishikim të masës së izolimit në muajin korrik.

"Ka raste kur zyrtarët korrektues nuk kanë zgjidhje, pos që të bëjnëndarjen burgosurve nga pjesa tjetër e tyre, kryesisht kur kjo është mënyra e vetme për të garantuar sigurinë e të burgosurve, personelit dhe publikut," thuhet në raportin e Departamentit të Drejtësisë. "Por, besojmë fuqishëm se kjo praktikë duhet të përdoret rrallë, të zbatohet në mënyrë të drejtë dhe të jetë subjekt i kufizimeve të arsyeshme."

Obama i bëri thirrje gjithashtu Kongresit të miratojë legjislacionin për reformimin e sistemit të drejtësisë për ta bërë atë "më të zgjuar, më të drejtë, më pak të shtrenjtë dhe më efektiv."

Ai shkruan se janë 2.2 milion veta në burgjet federale, shtetërore dhe ato lokale, mbajtja e të cilëve kushtin 80 miliardë dollarë dhe shumë prej tyre vuajnë dënime panevojshëm të gjata.

"Besojmë se kur njerëzit bëjnë gabime, meritojnë një mundësi për t'i ripërtërirë jetët e tyre", tha Obama

XS
SM
MD
LG