Lidhje

Presidentët amerikanë dhe akuzat për sjellje të papërshtatshme seksuale

  • Mike O'Sullivan

Skandalet e ngacmimeve seksuale në industrinë e argëtimit apo në politikë kanë tërhequr shumë vëmendje kohët e fundit, pasi po shtohet numri i grave dhe nganjëherë edhe burrave që kanë dalë me rrëfime se janë ngacmuar ose sulmuar seksualisht nga persona në pozitë të fuqishme.

Akuza të tilla janë ngritur edhe ndaj disa presidentëve amerikanë, përfshirë Presidentin Donald Trump.

Presidenti Lyndon Johnson tregoi talent të rrallë gjatë kohës që ishte anëtar i Kongresit. Biografët thonë se ai kishte edhe një numër marrëdhëniesh jashtëmartesore.

Por ai nuk ishte i pari që njihej për histori të tilla. Shumë historianë besojnë se Thomas Jeffersoni kishte fëmijë jashtë martese me skllaven e tij Sally Hemmings.

Një historian thotë se nuk është për t’u çuditur që disa politikanë kanë lidhje të tilla jashtë martesore.

“Vetë politika mbështetet tek arti i joshjes. Këtë punë bëjnë këta njerëz në karrierën e tyre,” thotë historian Richard Reeves.

John Kennedy njihej për marrëdhëniet me një numër grash para dhe gjatë kohës që ishte president. Por shumë amerikanë nuk e njihnin këtë aspekt të jetës së tij gjatë kohës kur ishte gjallë.

Marrëdhëniet jashtë martesore mes dy të rriturve nuk janë të paligjshme.

“Duhet të bëjmë dallim mes atyre që synojnë marrëdhënie me individë në moshë të mitur, për shembull me vajza 14-veçare. Në raste kur ka lidhje mes dy të rriturve, megjithëse mund të jetë diçka e pakëndshme, nuk do të ishte akt i paligjshëm,” thotë ekspertja ligjore Ariela Gross.

Para zgjedhjes si president Bill Clinton u vu përballë një numër akuzash për sulme seksuale. Më pas ai dha dëshmi të rreme për një marrëdhënie seksuale me një praktikante të Shtëpisë së Bardhë. Ndaj tij filloi procesi për shkarkim nga posti por ai u shpall i pafajshëm. Ishte koha kur interneti sapo kishte filluar:

“Nuk diskutohet që Bill Clinton ishte me fat. Nëse skandali do të kishte shpërthyer pas masivizimit të internetit, Clintoni ndoshta nuk do të kishte mbajtur postin,” thotë historiani Richard Reeves.

Në 2005 Donald Trump u regjistrua me zë duke bërë komente për akte të papërshtatshme me gratë.

“Ky rast ia vlen të përmendet, pasi ai po mburrej se prekte gratë mes këmbëve, gjë që do të cilësohej si sulm seksual. Ishte një akt i dënueshëm me ligj. Por e vemtja dëshmi janë fjalët e tij,” thotë ekspertja Ariela Gross.

Shumë burra, ndër ta edhe presidentë shpesh ekzagjerojnë ngjarjet për t’u mburrur, thotë historiani Reeves. Po ashtu burri dhe gruaja në incident mund të japin variante të ndryshme të ngjarjes, duke u dhënë mundësi përkrahësve dhe rivalëve të komentojnë mbi këto rrëfime, qofshin apo jo të vërteta.

Studiuesit thonë se viktimat e sulmeve seksuale kanë marrë zemër dhe megjithëse këto akuza mund të mos shërbejnë për të mbajtur ligjërisht përgjegjës autorët e këtyre akteve, këta individë të akuzuar, përfshirë edhe presidentë po mbahen përgjegjës në gjyqin e opinionit publik.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG