Lidhje

E ardhmja e programit të refugjatëve në SHBA


Ndërsa bota pret urdhërin e rishikuar ekzekutiv të presidentit Donald Trump për imigracionin, e ardhmja e programit të refugjatëve në Shtetet e Bashkuara mbetet e paqartë. Zëri i Amerikës foli me një refugjate kurde të lindur në Siri, përvoja personale dhe tragjike e të cilës e bëri atë të jetë mbrojtëse e politikave të dyerve të hapura për refugjatët në mbarë globin.

Imazhi i trupit të tre vjeçarit Alan Kurdi, në brigjet e Turqisë, e solli koston tragjike të krizës së refugjatëve sirianë në vëmëndjen e gjithë botës.

Halla e Alanit, Tima Kurdi, lindur dhe rritur në Siri, thotë se tragjedia e familjes së saj shërbeu gjithashtu si një thirrje për veprim.

“Pak muaj më vonë, të gjithë shkuan në punët e tyre dhe harruan vuajtjen e këtyre njerëzve. Një vit e gjysmë më vonë, unë ende flas në emër të njerëzve të mi.”

Tani një qytetare kanadeze, Kurdi thotë se ndjen detyrimin t’u dalë në mbrojtje refugjatëve dhe familjeve si ajo e saj, që rrezikojnë shpesh jetët e tyre për një shans për një të ardhme më të mirë.

“Nuk ka asnjë vend që duhet t’ua mbyllë kufijtë në fytyrë. Këta refugjatë, janë larguar nga ISIS-i, nga terroristët. Ata nuk janë terroristë. Janë familje me fëmijë dhe nuk kanë ku të shkojnë tjetër. Ata janë detyruar të largohen nga vendi i luftës, jo se duan, por se është një eksperiencë që askush nuk duhet ta provojë.”

Zonja Kurdi gjeti një aleate të përbashkët tek ligjvënësja amerikane Tulsi Gabbard nga Hauai, një kritike e zëshme e ndryshimit të regjimit në Siri, e cila ka propozuar legjislacion që do të ndalonte Shtetet e Bashkuara të financonin grupet rebele jashtë vendit.

Këtë javë, me ftesë të ligjvënëses, zonja Kurdi udhëtoi në Uashington ku ndoqi fjalimin e parë të presidentit Trump në kongres.

Me urdhërin e rishikuar ekzekutiv të presidentit që pritet në ditët në vazhdim, e ardhmja e programit të refugjatëve në Shtetet e Bashkuar mbetet e pasigurtë.

Tima thotë se fjalimi i presidentit e bëri të ndihej më optimiste për të ardhmen, ndonëse ajo ende ka rezerva.

“Duhet të gjejmë një zgjidhje politike për t’i dhënë fund krizës. Duhet ta gjejmë. Shpresoj që presidenti Trump të ndalë mbështetjen e ndryshimit të regjimit dhe të gjejë një zgjidhje politike për t’i dhënë fund vuajtjes së këtyre njerëzve.”

XS
SM
MD
LG