Lidhje

Javën e ardhshme, seanca mbi ndërhyrjen ruse

  • Malcolm Brown

Djali i madh Presidentit Trump, Trump Junior, ish menaxheri i fushatës së tij Paul Manafort dhe Jared Kushner, këshilltar i lartë në Shtëpinë e Bardhë, i cili është njëkohësisht dhëndër i presidentit, do të dëshmojnë javën e ardhshme lidhur me takimin e tyre vitin e kaluar me një avokate ruse. Lidhjet e mundshme të këshilltarëve të presidentit me Rusinë, janë objekt hetimi i prokurorit të posaçëm.

Një ndërmjetës i tha djalit të zotit Trump, përmes emailit, se avokatja ruse kishte informacion të dëmshëm për Hillary Clintonin, ish sekretaren e shtetit dhe kandidate për presidente e Partisë Denmokrate.

Donald Trump Jr. kohët e fundit tha se nga takimi nuk doli asgjë e re. Avokatja ruse tha se është e gatshme të bisedojë me ligjvënësit amerikanë lidhur me takimin.

"Në se Senati do të dijë të vërtetën, jam e gatshme t’u tregoj gjithshka që doja t’u tregoja zotit Trump (Jr.) dhe Kongresit vitin e kaluar. Por programi ndryshoi. Gjithshka që unë di, se si miliona dollarë hynë në vendin tim, në Rusi dhe u kthyen pastaj mbrapsht në miliarda dollarë. Për këto para nuk u paguan taksa. Por se ku shkuan ato, kjo nuk është një pyetje për mua, për këtë referojuni sistemit të Shteteve të Bashkuara,”- tha avokatja ruse.

Debati lidhur me takimin e Trump Jr.-it me avokaten ruse është mes çështjeve të shumta që po hetohen pas konkluzionit të komunitetit të zbulimit se presidenti rus Vladimir Putin e drejtoi personalisht fushatën për të ndërhyrë në zgjedhjet amerikane të vitit të kaluar, që ato t’i fitonte zoti Trump.

Një prokuror i posaçëm është caktuar për të hetuar lidhur me këtë çështje. Përveç shqyrtimit të kontakteve mes ekipit të fushatës së zotit Trump dhe Moskës, prokurori i posaçëm Robert Muller është duke hetuar edhe në se zoti Trump është përpjekur të pegojë drejtësinë, me shkarkimin e drejtorit të FBI-së James Comey në fillim të vitit, kur zoti Comey ishte duke udhëhequr hetimet e FBI-së për Rusinë, para se zoti Mueller të emërohej prokuror i posaçëm.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG