Lidhje

E ardhmja e marrëdhënieve SHBA-Rusi


Presidenti i zgjedhur Donald Trump ka shprehur dyshime rreth përfshirjes së Moskës në hakerimin e sistemeve të kompjuterave të partisë demokrate amerikane. Ai bëri gjithashtu thirrje për të përmirësuar marrëdhëniet me Rusinë dhe madje vlerësoi presidentin rus Vladimir Putin që zgjodhi të mos përgjigjej ndaj dëbimit javën e kaluar të diplomatëve rusë nga Shtetet e Bashkuara.

Në të njëjtën kohë, një anëtar drejtues i partisë së zotit Trump po premton “sanksione të reja” kundër Rusisë, përveç atyre të vendosura nga administrate në largim e Presidentit Barack Obama në përgjigje të sulmeve kibernetike ruse. Mes atyre që janë objektiv i sanksioneve të fundit janë zyrtarë të lartë të GRU-së, agjencisë ruse të zbulimit ushtarak, që është fajësuar për hakerimin e partisë demokrate.

Senatori republikan i Karolinës së Jugut Lindsey Graham i tha Radios Evropa e Lirë tha se ai dhe kolegët e tij do të paraqesin sanksione që kanë si objektiv jo vetëm sektorin e energjisë së Rusisë, sektorin bankar dhe agjencitë e zbulimit – përfshi agjencinë GRU dhe Shërbimin Federal të Sigurisë, agjencia kryesore e zbulimit rus – por gjithashtu “Putinin dhe rrethin e tij të brendshëm”.

Marrëdhëniet Dypalëshe

Duke patur parasysh planet në dukje kontradiktore të presidentit të ardhshëm dhe ligjvënësve të lartë nga vetë partia e tij, si i shohin ekspertët e politikës së jashtme ruse marrëdhëniet dypalëshe me Shtetet e Bashkuara pas largimit të presidentit Obama dhe ardhjes së Donald Trumpit?

Profesorja e shkencave politike Lilia Shevtsova i tha shërbimit rus të Zërit të Amerikës se ndërsa ekspertët e politikës së jashtme në Rusi po bëjnë thirrje për zgjerimin e kanaleve të komunikimit mes qeverisë ruse dhe amerikane, nuk është e garantuar se kjo do të realizohet.

Ajo theksoi se zoti Obama provoi diçka të ngjashme në vitin 2008 me presidentin e atëhershëm rus Dmitry Medvedev, por përpjekja përfundimisht dështoi.

“Është ide e mirë, por nuk është zgjidhja për normalizimin e marrëdhënieve”, thotë ekspertja. “Në fakt, gjatë përpjekjeve për të rifilluar marrëdhëniet mes Obamës dhe Medvedevit, u krijua një sistem komunikimi prej shumë nivelesh mes të dyja palëve. Megjithatë, kjo nuk ndihmoi në mënjanimin e një krize”.

'Bota Shumëpolare'

Ekspertët e politikës së jashtme ruse, shton zonja Shevtsova, vazhdojnë ta mbështesin këtë ide. Ajo është trashëguar nga Yevgeny Primakov, sovjetiku veteran dhe ministër i jashtëm rus i cili vdiq në vitin 2015 - i një “bote shumëpolare” që supozohet të dal pasi Shtetet e Bashkuara shkëputen nga pozicioni i tyre i udhëheqësit global.

"Amerika po futet në guackën e saj, dhe ne po i afrohemi një bote shumëpolare” tha ajo. “Por ka arsye të besojmë se do të jetë një botë hobesiane – një betejë i të gjithëve kundër të gjithëve. Dhe sa e rehatshme do të jetë për Rusinë një botë e tillë, duke patur parasysh se ka shumë pak burime ekonomike dhe ushtarake?"

Valery Garbuzov, drejtor i Institutit të Akademisë së Shkencave për Studimet amerikane dhe kanadeze, i tha Zërit të Amerikës se shumë rusë shpresojnë se presidenca e Donald Trumpit do të çojë në një përmirësim të marrëdhënieve dypalëshe.

"Besoj se detyra kryesore konsiston në nxitjen e bashkëpunimit ekonomik dhe tregëtar, që mund të çojë në heqjen e sanksioneve dhe pas kësaj çdo gjë tjetër, përfshi kontaktet shkencore dhe kulturore,” thotë ai.

Garbuzov thotë se nuk është i sigurt nëse zoti Trump do të jetë në gjendje të kapërcejë përkeqësimin e marrëdhënieve dypalëshe të viteve të fundit, ose kundërshtimin e mundshëm për nismat e tij, përfshi një rifillim të marrëdhënieve SHBA-Rusi, si nga demokratët edhe anëtarët e partisë së tij.

XS
SM
MD
LG