Lidhje

Presidenti Trump thotë se e ngriti me forcë çështjen e ndërhyrjes ruse në zgjedhje


Presidenti amerikan Donald Trump tha të dielën se ai e kishte pyetur dy herë me këmbëngulje Presidentin rus Vladimir Putin për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet amerikane dhe se tani ka adhur koha “që të ecim përpara dhe të punojmë në mënyrë konstruktive” me Moskën.

Në një sërë komentesh në Twitter pasi u kthye në Uashington nga takimi i G20-ës në Hamburg të Gjermanisë, zoti Trump theksoi se zoti Putin kishte mohuar me force çdo rol në ndërhyrjen në zgjedhje dhe se dy presidentët “kishin diskutuar për krijimin e një njësie të padepërtueshme për Sigurinë Kibernetike në mënyrë që të shmanget pirateria kiberentike në zgjedhje dhe elementë të tjerë negative”.

Por ligjvënës republikanë me peshë, e quajtën qesharake idenë e bashkëpunimit me Rusinë për një pakt për sigurinë kibernetike. Senatori Lindsey Graham tha në emisionin "Meet the Press" të televizionit NBC se nuk ishte "ideja më idiote që kam dëgjuar ndonjëherë, por i afrohet".

Ndërkohë në Kiev Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson tha se pala amerikane nuk priste “ndonjë përgjigje të ndryshme nga ajo që mori”, dhe shtoi se u bë e qartë që kjo është një çështje shumë shqetësuese për popullin amerikan

“Dhe mendoj se ajo mbetet një pengesë për aftësinë tonë për të çuar përpara marrëdhëniet mes Shtetet e Bashkuara dhe Rusinë dhe duhet të trajtohet përsa i takon nevojës për të siguruar popullin amerikan se nuk do të ketë ndërhyrje në zgjedhjet amerikane nga Rusia, apo askush tjetër”.

Shefi i Personelit i Shtëpisë së Bardhë, Reince Priebus tha në një intervistë për televizionin Fox News se zoti Trump "nuk e kishte besuar absolutisht” mohimin e zotit Putin për ndërhyrje në zgjedhje.

Në një nga mesazhet në Twitter, zoti Trump tha se e “kishte dhënë mendimin e tij” për ndërhyrjen në zgjedhje. Mesa duke tai po i referohej pohimit të tij javës së kaluar në Varshavë kur tha se “mund të kishte qenë Rusia, ose edhe njerëz dhe vende të tjera”.

Takimi mes dy presidentëve ishte pritur me interesim të madh dhe zgjati shumë më tepër nga sa ishte parashikuar. Zoti Trump e quajti takimin e 20-es një sukses të madh për Shtetet e Bashkuara, por nuk përmendi faktin që 19 vendet e tjera shprehën kundërshtimin e tyre ndaj tërheqjes amerikane nga marrëveshja e Parisit për klimën.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG