Lidhje

SHBA: Moska mund të jetë duke planifikuar pushtimin e Ukrainës


Zyrtarët amerikanë po shprehin shqetësim se Moska mund të jetë duke u përgatitur për të pushtuar Ukrainën. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Jeff Seldin njofton nga Pentagoni:

Për disa ditë me radhë, zyrtarët perëndimorë kanë paralajmëruar për shtimin e forcave ushtarake ruse në kufirin me Ukrainën.

Pas një vizite në zyrat e komandës së trupave amerikane në Evropë, Sekretari i Mbrojtjes Chuck Hagel e shprehu qartë këtë shqetësim:

"Kur sheh shtimin e trupave ruse dhe sofistikimin e tyre, stërvitjen e tyre, pajisjet e rënda ushtarake që po vendosen në kufi, natyrisht që kjo është një realitet dhe një kërcënim. …Dhe në mënyrë absolute, mundësia për ndërhyrje ekziston."

Paralajmërimet e zotit Hagel pasojnë deklaratën e kryeministrit të Polonisë dhe të NATO-s, që thonë se Rusia tani ka grumbulluar rreth 20,000 trupa në kufi, pas një shtimi të madh të tyre ditët e fundit.

Në një konferencë shtypi që mbajti mbrëmë, presidenti Barack Obama i hodhi poshtë për momentin, thirrjet për t’i dhënë Ukrainës ndihmë me armatime:

“Në se Rusia do të fillonte pushtimin, puna do të ishte ndryshe. Por kjo nuk ka ndodhur ende.”

Zoti Obama tha se nevojitet më shumë kohë që të kenë rezultat sanksionet që synojnë të godasin fort ekonominë ruse:

“Ne po bëjmë pikërisht atë që duhet të bëjmë dhe jemi të kënaqur që me përpjekjet tona janë bashkuar aleatët evropianë dhe partnered tanë.” - tha Presidenti

Zyrtarët amerikanë thonë se më shqetësuese se sa numrat janë aftësitë e forcave ruse, gjë që e theksoi të martën zëdhënësi i Pentagonit, admirali John Kirby.

"Ata janë duke vazhduar t'i shtojnë forcat dhe kapacitetin e të gjitha forcave ushtarake të kombinuara: mjete të blinduara, të artilerisë, mbrojtjes ajrore, forca speciale."

Zyrtarët rusë, po ashtu, kanë kundërshtuar raundin e ri të sanksioneve ekonomike të fuqive ndërkombëtare dhe SHBA-së.

Në një bisedë telefonike të mërkurën me kancelaren gjermane Angela Merkel, Presidenti rus Vladimir Putin shprehu shqetësim për atë që ato që ai i cilësoi "operacione ushtarake të vazhdueshme" të forcave ukrainase, duke i fajësuar ato për "një shkallëzim të problemeve humanitare."

Studjuesi për Rusinë David Satter i Institutit Hudson, thotë se të parashikosh veprimet e ardhshme të zotit Putin dhe aleatëve të tij është e vështirë, por mënyra se si ata veprojnë nuk është mister:

"Ata mund të përshkruhen me saktësi si një bandë me një politikë të jashtme. Ata nuk kanë ndonjë lloj vizioni strategjik përtej asaj që u duket e nevojshme për t'i mbajtur në pushtet."

Zyrtarët rusë kanë ngritur mundësinë e dërgimit të paqeruajtësve në Ukraine, për të ndihmuar në qetësimin e situatës, diçka që si NATO, edhe zyrtarët amerikanë e shohin me dyshim - duke theksuar se Rusia njihet nga veprimet e së shkuarës, se i përdor paqeruajtësit si mbulesë për ndërhyrje të paligjshme ushtarake.

XS
SM
MD
LG