Lidhje

Putin: Rusia nuk do të dëbojë diplomatë amerikanë


Presidenti rus Vladimir Putin thotë se Moska nuk do të dëbojë diplomatë amerikanë si reagim ndaj sanksioneve që vendosi të enjten Presidenti amerikan Barack Obama, për ndërhyrjen nga agjencitë ruse të zbulimit në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

"Nuk do t’u shkaktojmë probleme diplomatëve amerikanë. Nuk do të dëbojmë njeri”, tha zoti Putin përmes një deklarate që nxorri Kremlini.

Më herët agjencia ruse e lajmeve Interfax citonte Ministrin e Jashtëm Sergei Lavrov të thoshte se ai kishte rekomanduar dëbimin e 35 diplomatëve amerikanë, si edhe që t’i ndalohej personelit diplomatik amerikan përdorimi i një shtëpie pushimi të ambasadës në perëndim të Moskës dhe i një magazine në veri të qytetit.

Administrata e presidentit Obama shpalli të enjten sanksione kundër Rusisë, në përgjigje të sulmeve kibernetike dhe ndërhyrjes së dyshuar të Moskës në zgjedhjet presidenciale të SHBA.

Sipas zyrtarëve, SHBA do të dëbojnë 35 diplomatë rusë, të cilët do të kenë 72 orë afat për t'u larguar. Do të mbyllen edhe dy komplekse në Nju Jork dhe Merilend, që përdoren nga zyrtarët rusë për qëllime zbulimi, në përgjigje të një fushate ngacmimesh ndaj diplomatëve amerikanë në Moskë.

Vendimi i presidentit parashikon gjithashtu sanksione ndaj dy agjencive kryesore ruse të zbulimit si dhe ndaj katër drejtuesve të Shërbimit Ushtarak të Zbulimit, për të cilët Shtëpia e Bardhë beson se kreu sulmet kibernetike ndaj Komitetit Kombëtar Demokrat dhe organizatave të tjera politike.

Presidenti Obama e quajti vendimin "një përgjigje të nevojshme dhe të përshtatshme ndaj përpjekjeve për të dëmtuar interesat e SHBA-së në kundërshtim me normat e përcaktuara ndërkombëtare të sjelljes."

Zëdhënësi i presidentit Vladimir Putin tha se masat sinjalizojnë "politikën e jashtme agresive dhe të paparashikueshme" të Obamës.

Edhe në qoftë se sanksionet e reja zbatohen me sukses, mbetet e paqartë nëse ato do të mbahen në fuqi nga administrata Trump, pasi ajo të marrë detyrën më 20 janar.

Sekretari i shtypit i zotit Trump, Sean Spicer, kërkoi prova të qarta që të vërtetojnë se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhje.

"Shumë njerëz nga e majta vazhdojnë të minojnë legjitimitetin e fitores së zotit Trump në zgjedhje dhe kjo është për të ardhur keq", tha ai të enjten. "Nëse SHBA kanë dëshmi të qartë se dikush ka ndërhyrë në zgjedhjet tona, ne duhet ta bëjmë atë të njohur."

Senatori i njohur republikan Lindsey Graham ngul këmbë se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale.

Sipas senatorit, Kongresi amerikan në vitin 2017 do të hetojë përfshirjen e Rusisë në zgjedhjet e 8 nëntorit. "Unë pres që të ketë sanksione dypartiake që do ta goditin rëndë Rusinë, sidomos Presidentin Putin si individ", tha senatori Graham, pa dhënë hollësi. "Është koha që Rusia të kuptojë se e ka tepruar,” tha ai.

XS
SM
MD
LG