Lidhje

Kaliforni, identifikohen dy të dyshuarit e masakrës


Autoritetet në San Bernardino të Kalifornisë konfirmuan identitetin e dy të dyshuarve për sulmin e së mërkurës në një agjenci shërbimesh sociale, që la pas vetes 14 të vdekur dhe 17 të plagosur.

Të dyshuarit u identifikuan nga shefi i policisë në San Bernardino, Jarrod Burguan, të enjten herët në mëngjes si 28 vjeçari i lindur në Shtetet e Bashkuara, Syed Farook dhe 27 vjeçarja Tashfeen Malik. Farooku ishte identifikuar më herët si një nga të dyshuarit nga disa media. Burguan tha se ata ishin ose të martuar ose të fejuar. Agjencia e lajmeve Associated Press dhe gazeta Los Angeles Times, thanë se ata ishin të martuar dhe kishin një fëmijë.

Burguan konfirmoi njoftimet se Farooku ishte punonjës i departamentit të shëndetësisë në qarkun e San Bernardinos, që po mbante një kremte krishtlindjesh në një kamp që ofron shërbime për personat me nevoja të veçanta.

Farooku u largua me zemërim nga kremtja për t’u kthyer më pas bashkë më Maliken, që të dy të armatosur rëndë.

Disa orë më vonë, dy të dyshuarit, u vranë gjatë një shkëmbimi zjarri me policinë, pasi automjeti i tyre u diktua në qytetin Redlands aty pranë. Një polic u plagos gjatë shkëmbimit zjarri, por pa rrezik për jetën.

Një person u arrestua derisa po përpiqej të ikte nga zona, por shefi i policisë tha se është e paqartë se çfarë po bënte ai në vendin e ngjarjes.

Burguan tha se është e qartë që çifti ishte i përfshirë në njëfarë shkalle të planifikimit të sulmit. Ai tha se ende nuk dihen motivet e masakrës, por theksoi se nuk përjashtohet terrorizmi. Ai tha se tri mjete shpërthyese janë gjetur në ndërtesë dhe janë shkatërruar, ndërsa roboti është vendosur në shtëpinë në Redlands për të kërkuar mjete të mundshme shpërthyese.

Më herët të enjten, kunati i Farookut, Farhan Kahn, shprehu ngushëllimet e tij për viktimat në një konferencë për shtyp të mbajtur në Këshillin për Marrëdhëniet Amerikano-Islamike (CAIR) në Los Angeles. Kahn tha se nuk kishte asnjë ide se pse Farooku kishte kryer sulmin.

"Ne e dënojmë pa hezitim aktin e tmerrshëm”, tha drejtori ekzekutiv i CAIR-it Hussam Ayloush. "Ne hedhim poshtë çdo ideologji të mundshme apo ide që mund të ketë çuar në një akt kaq të tmerrshëm”.

Patrick Baccari, që punonte me Farook-un, tha se ai kishte udhëtuar për në Arabinë Saudite me herët gjatë këtij viti dhe ishte kthyer me një grua, ndonëse nuk tha nëse ajo grua ishte Malikja.

Ngjarjet e së mërkurës ishin më të rëndat në Shtetet e Bashkuara që nga viti 2012, kur 20 fëmijë dhe gjashtë mësues u vranë në shkollën fillore Sandy Hook në Connecticut.

Në komentet për televizionin CBS, Presidenti Barak Obama tha se në SHBA vrasjet në masë janë bërë rrugë, si në asnjë vend tjetër të botës.

Ai tha se ka masa që mund të merren për t’i bërë amerikanët më të sigurt dhe shtoi se zyrtarët në çdo nivel të qeverisjes duhet të bashkohen pa dallime partiake për të bërë që raste të tilla të jenë të rralla e jo një dukuri normale.

Dy kandidatët kryesorë për president reaguan në Twitter. Demokratja Hillari Klinton tha se ajo nuk mund "ta pranojë këtë ngjarje si normale.” “Ne duhet të marrin masa tani për të ndalur dhunën e armëve,” - tha ajo.

Republikani Donald Trump e cilësoi ngjarjen si ogurzezë dhe u uroi fat policëve në vendngjarje.

Ngjarja në San Bernardino vjen më pak se një javë pasi një person i armatosur vrau tre vetë dhe plagosi nëntë në një klinikë për planifikimin familjar në Kolorado Springs të shtetit Kolorado. Në tetor, një person i armatosur vrau nëntë vetë në një kolegj të shtetit Oregon, ndërsa në qershor një tjetër person i armatosur i bardhë u mori jetën nëntë besimtarëve afrikano-amerikanë në Karolinën e Jugut.

XS
SM
MD
LG