Lidhje

Komisioni i Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë voton për Pompeon


Komisioni për Marrëdhënie me Jashtë i Senatit amerikan votoi me një diferencë fare të vogël, në favor të rekomandimit për konfirmimin e drejtorit të CIA-s Mike Pompeo në postin e sekretarit të shtetit, në një votim që Senati pritet ta mbajë këtë javë. Në një ndryshim dramatik qëndrimi, senatori republikan Rand Paul, hoqi dorë nga kundërshtimi i tij në minutën e fundit, duke i siguruar zotit Pompeo minimumin e mundshëm të votave për të marrë rekomandimin e Komisionit.

Seanca e komisionit të hënën ishte e tensionuar. Një senator republikan nuk ishte i pranishëm pasi ishte në një funeral, ndërsa senatori republikan Paul ndryshoi qëndrim momentin e fundit.

Kryetari i Komisionit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, Bob Corker bëri thirrje për një vot[ në favor të konfirmimit të Mike Pompeos, duke thënë se afërsia e tij me Presidentin Donald Trump do të përbënte një avantazh të jashtëzakonshëm.

“Ai ka një marrëdhënie shumë të mirë me presidentin, gjë që nuk e kishte asnjëri nga tre sekretarët e fundit të Shtetit”.

Senatori demokrat Bob Menendez shpjegoi se pse ai dhe gjithë demokratët e tjerë të komisionit ishin kundër emërimit të Pompeos.

“Jam veçanërisht i shqetësuar nga komentet e tij të fundit për ndryshim regjimi në Iran dhe në Korenë e Veriut”.

Pasi u shmangën pengesat e fundit logjistike, komisioni arriti të miratojë rekomanimin për konfirmimin e zotit Pompeo për votim në Senat.

Para konfirmimit, Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Huckabee Sanders tha se Mike Pompeo është jashtëzakonisht i kualifikuar dhe do të ishte “indinjuese” nëse kandidatura e tij nuk miratohej me shpejtësi.

"Po t’i hedhësh një vështrim konfirmimeve të kaluara, më konkretisht votimeve dypartiake, John Kerry u konfirmua me 94 vota pro dhe 3 kundër. Hilary Clinton u konfirmua me 94 vota pro dhe 2 kundër. Condoleezza Rice me 85 pro dhe 13 kundër. Colin Powell u konfirmua njëzëri”.

Zoti Pompeo pritet të konfirmohet si Sekretar Shteti, përsëri me një diferencë të ngushtë votash, në Senat ndoshta që të enjten.

XS
SM
MD
LG