Lidhje

Senati refuzon shfuqizimin e "Obamacare"


Senati amerikan dështoi sot të miratonte një projekt-ligj për shfuqizimin e pjesshëm të ligjit të sigurimeve shëndetësore, i njohur edhe si “Obamacare”. Menjëherë pas votimit që përfudnoi pas mesnate, Presidenti Trump përmes një postimi në Twitter paralajmëroi republikanët që u bashkuan me demokratët, duke përsëritur thirrjen e tij të mëparshme për të lejuar ligjin “Obamacare” të vetëshkatërrohet dhe pastaj të merren me të.

Senatori nga Arizona, John McCain duket se ishte faktori vendimtar i dështimit të projekt-ligjit. Ai iu bashkua dy republikanëve të tjerë, që e kishin shpallur votën e tyre kundër, duke bërë që projekt-ligjit të mos miratohej. Votimi përfudnoi me 51 vota kundër dhe 49 pro.

Udhëheqësi i shumicës republikane në senat, Mitch McConnell tha se ishte i zhgënjyer dhe i pakënaqur me kolegët e tij demokratë.

"Mendoj se shumë nga kolegët tanë (demokratë) në anën tjetër janë duke festuar, ndoshta janë shumë të lumtur me këtë rezultat, por populli amerikan po dëmtohet dhe ata kanë nevojë për një lehtësim të barrës. Miqtë tanë në anën tjetër kanë vendosur herët se ata nuk duan të angazhohen me ne në mënyrë serioze për të ndihmuar ata që vuajnë nën ligjin Obamacare".

Udhëheqësi pakicës demokrate në senat, Chuck Schumer, iu përgjigj kritikave të senatorit McConnell.

"Ne jemi të lehtësuar, jo për veten tonë por për popullin amerikan. Por siç e kam thënë vazhdimisht, Obamacare nuk është një ligj i përsosur, solli shumë gjëra të mira, por ai ka nevojë për përmirësime. Shpresoj se tani ne mund t’i kthehemi rendit dhe rregullave të duhura të senatit dhe të punojmë së bashku në komisione për të përmirësuar ligjin Obamacare".

Senatorët republikanë për shtatë vite janë përpjekur ta shfuqizojnë ligjin “Obamacare”, arritjen më të madhe legjislative të ish-Presidentit Barak Obama.

Më parë këtë javë, republikanët në senat dështuan dy herë në përpjekjet për ta shfuqizuar ligjin e sigurimeve shëndetësore. Duke folur për votën e tij kundër, Senatori McCain tha se republikanët nuk duhet të përsërisn veprimin e demokratëve dhe t’i miratojnë ligjet vetëm me votat e tyre.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG