Lidhje

Rezoluta për Klimën në votë para Senatit


US Senate to Consider 'Green New Deal'
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:11 0:00

Gjatë ditëve në vazhdim, Senati amerikan pritet të marrë në shqyrtim “Marrëveshjen e Re të Gjelbër”, ose “Paktin e Gjelbër” që cilësohet si masa më ambicioze dhe gjithpërfshirëse për të luftuar ndryshimet klimatike e shqyrtuar ndonjëherë nga Kongresi, ndërsa republikanët kërkojnë ta hedhin në votë propozimin, të cilin ata e kundërshtojnë, por besojnë se do t’i ndajë demokratët dhe do t’i dobësojë ata para zgjedhjeve të vitit 2020.

Një rezolutë jo-detyruese e paraqitur në fillim të këtij muaji, “Pakti i Gjelbër” synon të krijojë me shpejtësi një ekonomi që nuk rezulton në çlirimin e gazeve karbonike, ndërsa lufton pabarazinë ekonomike dhe racore.

Rezoluta bën thirrje për një mobilizim kombëtar 10-vjeçar për të reformuar sektorin energjetik, të transportit, prodhimit industrial dhe atij bujqësor. Masa po ashtu përcakton garanci të gjera për rikualifikimin e punonjësve, arsimin e lartë, kujdesin shëndetësor, dhe përfitimet e pensionit, me theks të veçantë tek sektorët e pafavorizuar dhe atyre që aktualisht përballen me rreziqe nga rritja e temperaturave.

“Kemi zgjedhur ta afirmojmë veten si udhëheqës globalë në kalimin 100 përqind tek energjia e ripërtëritshme”, u shpreh ligjvënësja demokrate nga Nju Jorku Alexandria Ocasio-Cortez gjatë një konference shtypi para ndërtesës së Kongresit pak kohë më parë. “Ne duhet ta bëjmë sepse ne duhet të udhëheqim. Ne duhet ta bëjmë sepse jemi një shembull për botën.”

FILE - Sen. Edward Markey, D-Mass., speaks during a news conference on Capitol Hill in Washington.
FILE - Sen. Edward Markey, D-Mass., speaks during a news conference on Capitol Hill in Washington.

“Ne do të shpëtojmë gjithë njerëzimin duke u angazhuar në krijimin masiv të vendeve të punës”, tha senatori demokrat Edward Markey nga Masaçusets. “Kur flasim për ‘Paktin e Gjelbër’, po flasim për vende pune dhe drejtësi”.

Republikanët kanë një qëndrim tjetër ndaj rezolutës.

“Propozimi nuk është asgjë më shumë se një axhendë socialiste e maskuar si një politikë ambjentaliste optimiste”, tha senatori republikan nga Teksasi John Cornyn. “Ky është, në realitet, një program i ri social, por disa herë më i madh”.

Duke vënë në dukje koston e parashikuar në triliona dollarë dhe premtimet që kjo masë u ofron shumë zgjedhësve, zoti Cornyn shtoi, “Ata mund të kishin shtuar edhe birrë dhe pica falas gjithashtu”.

Një tjetër republikan, senatori nga Uajoming, John Barraso e cilësoi propozimin si “një padrejtësi ndaj publikut amerikan”.

Zoti Barraso tha: “Kjo është kaq ekstreme, shumë larg rrymës kryesore të opinionit publik amerikan, deri në atë pikë sa ngjall frikë.”

Por republikanët janë ata që po kërkojnë hedhjen në votë të propozimit dhe jo demokratët.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, ligjvënësja demokrate Nancy Pelosi e Kalifornisë nuk pranoi ta mbështesë rezolutën, duke thënë në një konferencë shtypi të kohëve të fundit se, “Po paraqiten ide nga më të ndryshmet” ndërsa theksoi se “për të arritur ndryshime” nevojitet “një metodë e menduar mirë”.

Nga ana tjetër, udhëheqësi i shumicës republikane në Senat, Mitch McConnell i Kentakit, me zor mbajti një buzëqeshje kur njoftoi votimin për masën që kundërshtohet nga i gjithë grupi i tij.

“Kam vërejtur me interes të madh ‘Paktin e Gjelbër’. Do ta hedhim në votë në Senat dhe të gjithë do të kenë rastin që të shprehin mendimet e tyre zyrtarisht,” tha për shtypin zoti McConnell.

Aktivistët për të luftuar ndryshimet klimatike shprehen të frymëzuar.

“Jam i gëzuar”, tha për Zërin e Amerikës Ben Beachy që drejton programin e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik me organizatën ambjentaliste Sierra Club. “Është një program i guximshëm, kalimi nga një ekonomi me paga të ulëta dhe ndotëse për mjedisin në një ekonomi që mbështetet mbi politika për punë dinjitoze dhe 100 për qind energji të pastër për të gjithë”.

FILE - Senate Judiciary Committee Ranking Member Sen. Dianne Feinstein, D-Calif., in Washington.
FILE - Senate Judiciary Committee Ranking Member Sen. Dianne Feinstein, D-Calif., in Washington.

​Ndërkohë, disa demokratë gjenden nën presion. Senatorja demokrate nga Kalifornia Dianne Feinstein shkaktoi kritika në median sociale lidhur me reagimin e saj ndaj një grupi rinor që i kërkoi asaj të votonte në favor të masës së re.

“Gazet karbonike që çlirohen në atmosferë nuk do të zhduken brenda 10 vitesh sikurse kërkon rezoluta”, tha zonja Feinstein. “Kam 30 vjet që merrem me këtë punë dhe e di se çfarë po bëj”.

Por nëse republikanët besojnë se u kanë ngritur kurth demokratëve, senatorët demokratë janë të vendosur të kundërpërgjigjen kur në Senat të fillojë debati për ndryshimet klimatike.

“Jemi gati”, tha udhëheqësi i pakicës demokrate në Senat, Chuck Schumer i Nju Jorkut në përgjigje të njoftimit nga zoti McConnell se propozimi do të hidhet në votë. “E sfidoj udhëheqësin McConnell të thotë se kriza e ndryshimeve klimatike është e vërtetë, që është shkaktuar nga njeriu dhe se Kongresi duhet të veprojë”.

Debati që pritet në Senat ka të ngjarë të nxjerrë në pah ndasitë mes demokratëve lidhur me qëndrimin që do të mbajnë ndaj ndryshimeve klimatike. Por demokratët parashikojnë se qëndrimet e republikanëve do të jenë më të ekspozuara.

“Ne nuk kemi qënë kurrë më entuzuastë”, tha senatori demokrat nga Havai Brian Schatz. “Do ta shfrytëzojmë këtë mundësi për një debat real rreth klimës, sepse republikanët nuk kanë një plan për të adresuar ndryshimet klimatike.”

Përkrahësit nuk e mohojnë se “Pakti i Gjelbër” është si një dozë e fortë ndryshimesh, duke këmbëngulur se ka marrë fund koha për masa gjysmake.

“Ndryshimi i klimës nuk i përket së ardhmes së largët, nuk është hipotezë. Është këtu dhe tani”, tha zoti Beachy. “Vetëm vitin e kaluar, ndikimet e drejtpërdrejta nga ndryshimi i klimës në Shtetet e Bashkuara shkaktuan qindra vdekje dhe i kushtuan ekonomisë amerikane miliarda dollarë. Pra, tashmë është këtu dhe vetëm do të përkeqësohet nëse nuk veprojmë në shkallën dhe shpejtësinë që kërkon shkenca dhe drejtësia”.

Kritikët e shohin rezolutën si një propozim shkatërrim ekonomik.

“Ky s’është tjetër veçse një propozim për ekonomik të planifikuar të drejtuar nga Uashingtoni, ku imponohen masa standarde nga qendra,” thotë për Zërin e Amerikës ekonomisti Chris Edwards me Institutin Cato. “Propozimi është shkruar në terma të ngrohta dhe optimiste si një politikë që do të ndihmojë njerëzit, por mendoj se në realitet disa nga propozimet nga lart-poshtë do të dëmtonin njerëzit”.

Zoti Edwards theksoi se tregu i lirë po prodhon më shumë automjete dhe pajisje me energji efikase sesa ekzistonte një gjeneratë më parë, duke argumentuar se aktualisht vërehet një prirje e konsumit në rënie të energjisë pa ndërhyrje masive qeveritare. Por ndërsa zoti Edwards shikon në këtë propozim ndëhyrje të panevojshme dhe të dëmshme federale, zoti Beachy sheh një mundësi.

“Kemi një mundësi të madhe për të rinovuar infrastrukturën e lënë pas dore. Duke bërë këtë do të krijojmë njëkohësisht vende të reja pune, do të ndihmojmë për të garantuar se kemi ajër dhe ujë të pastër dhe se po trajtojmë ndryshimet klimatike,” tha zoti Beachy.

Anketat tregojnë se amerikanët janë gjithnjë e më të shqetësuar rreth ngrohjes së planetit dhe fenomenet e motit ekstrem. Por ky shqetësim ende nuk ka nxitur veprim të konsiderueshëm nga Kongresi.

“Po, shumica e amerikanëve mendojnë se ndryshimi i klimës është real dhe përbën problem,” thotë Will Marshall themelues i Institutit për Politikë Progresive.

“Por gjithashtu ata nuk e vlerësojnë këtë temë aq të rëndësishme sa kujdesin shëndetësor, ekonominë apo imigracionin, çëshjte që ata mendojnë se kanë përparësi më të madhe për vendin. Kjo do të thotë se aktualisht nuk kemi një lëvizje që mbështet termat më ambicioze të përfshira në ‘Paktin e Gjelbër’”.

Kundërshtimi i republikanëve dhe përçarja në radhët e demokratëve sinjalizon se “Pakti i Gjerlbër” pritet të mposhtet lehtë në çdo votim përfundimtar të Senatit. Mbështetësit shpresojnë, se të paktën, do të sherbejë për të çuar përpara debatin mbi ndryshimet klimatike dhe masat e Shteteve të Bashkuara kundër këtyre ndryshimeve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG