Lidhje

Shtetet e Bashkuara kujtojnë 11 shtatorin 2001


Shtetet e Bashkuara shënuan të dielën 15-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit, kur terroristë të Al Kaidës rrëmbyen avionët e pasagjerëve dhe i përplasën ata tek ndërtesta e Qendrës Botërore të Tregtisënë Nju Jork dhe në Pentagon, pranë Uashingtonit. Një tjetër avion i rrëmbyer u rrëzua në Pensilvani.

Në kujtim të kësaj dite dhe në respekt të viktimave, në Shtëpinë e Bardhë u zhvillua një ceremoni solemne me pjesëmarrjen e Presidentit Barack Obama, ku u mbajt një minutë heshtje në orën 8:46 të mëngjesit të së dielës, pikërisht në orën kur avioni i parë u përlas më 11 shtator të vitit 2001 tek Qendra Botërore e Tregtisë.

Më vonë Presidenti foli në një ceremoni në Pentagon, për të nderuar kujtimin e atë vrarëve atë ditë. "Ne i kujtojmë dhe nuk do t'i harrojmë kurrë rreth 3 mijë jetët e bukura që i morën prej nesh barbarisht", - tha presidenti.

Ai u zotua se terroristët nuk do të jenë kurrë të aftë të mundin një komb kaq të mrekullueshëm dhe të fuqishëm si ai amerikan, duke vlerësuar shumëllojshmërinë etnike të SHBA me njerëz nga të të gjitha racave dhe feve. "Këtu qëndron fuqia jonë," - tha Presidenti.

Viktimat e Qendrës Botërore të Tregtisë në Nju Jork u kujtuan në një ceremoni tek vendi që njihet si “Niveli Zero”, ku morën pjesë edhe kandidatët presidencialë Hillary Clinton dhe Donald Trump, të cilët të dielën i ndaluan veprimtaritë e fushatës.

Në ceremoni u lexuan nga familjarët e viktimave, në një atmosferë solemne, emrat e 2,983 personave të vrarë atë ditë.

Po në Nju Jork, pas perëndimit të Diellit, do të projektohen në qiell dy rreze drite gjigande, në kujtim të dy kullave binjake të Qendrës Botërore të Tregtisë, që u rrëzuan ditën e 11 shtatorit 2001.

19 rrëmbyesit e avionëve, 15 prej tyre nga Arabia Saudite, u vranë në sulmet e 11 shtatorit. Në përgjigje të sulmeve, Shtetet e Bashkuara filluan luftën në Afganistan, ku ishin stërvitur nga Al Kaida rrëmbyesit e avionëve dhe në Irak. Në të dyja këto vende ende ndodhen mijëra trupa amerikane, edhe pse operacionet në shkallë të gjerë atje kanë përfunduar.

XS
SM
MD
LG