Lidhje

Hoyt Brian Yee: kujdes ndaj qasjes ruse në Ballkan


Zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit Hoyt Brian Yee, tha të mërkurën në Beograd se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të jenë të pranishme në Ballkanin perëndimorë për të mbështetur rrugën evropiane të vendeve të rajonit, ndërsa do të ndjekin me vëmendje qasjen e Rusisë në atë zonë.

Pas takimit me presidentin e zgjedhur të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ai tha se Shtetet e Bashkuara do të mbrojnë fuqishëm interesat e tyre dhe të aleatëve.

"E dimë nga përvoja se synimet prapa shumë veprimeve ruse nuk janë të mira dhe nuk janë në interes të vendeve të rajonit", tha ai, duke përmendur ngjarjet e tetorit të vitit të kaluar në Mal të Zi, kur autoritetet në Podgoricë thanë se rusët ishin përfshirë në një përpjekje për grusht shteti, pjesë e orvatjeve për te penguar anëtarësimin e Malit të Zi në NATO.

"Shpresojmë se Rusia do të luajë një rol konstruktiv në Ballkan, sic ka bërë në të kaluarën. Por duhet të jemi të syçelë. Kudo që është e mundur, Shtetet e Bashkuara do të bashkëpunojnë me Rusinë, por atje ku ndeshen interesat, vlerat dhe synimet tona, do t'i mbrojmë fuqishëm interesat amerikane sikurse edhe interesat e aleatëve dhe partnerëve tanë", tha ai.

Zyrtari amerikan tha se politika amerikane ndaj Ballkanit Perëndimorë nuk ka ndryshuar pas zgjedhjes së presidentit, Donald Tramp, dhe se ajo mbështetet mbi interesat amerikane që kanë të bëjnë me sigurinë dhe demokracinë.

"Bashkëpunimi konkret në ekonomi, siguri, luftë kundër krimit dhe terrorizmit, mund të jetë edhe më i fuqishëm. Duhet të vazhdojnë përpjekjet edhe për zgjidhjen e mospajtimeve dhe zhvillimin e lidhjeve më të mira ndërmjet fqinjëve. Kur bëhet fjalë për Serbinë, kemi biseduar për vazhdimin e normalizimit të marrëdhënieve ndemjet Prishtinës dhe Beogradit. Shtetet e Bashkuara janë shumë të kënaqura që po e ndihmojnë këtë proces si dhe bashkëpunimin dhe pajtimin ndërmjet shteteve të rajonit", tha zoti Hoyt Brian Yee.

Ai tha se procesi i integrimeve evropiane mund të përshpejtohet por për këtë duhet vullnet i fortë i vende kandidate dhe Bashkimit Evropian.

"Procesi mund të përshpejtohet nëse palët kryejnë pjesën e tyre të punës", tha ai duke nënvizuar se qeveritë duhet të zbatojnë reformat madje edhe atëherë kur ndjehen të lodhura.

Serbia, një aleate tradicionale e Rusisë, synon të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, por ecën në vijën e ngushtë ndërmjet Rusisë dhe perëndimit dhe ka refuzuar t'u bashkohet sanksioneve euro-amerikane kundër Moskës për shkak të veprimeve të saj në Ukrainë.

Ajo vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës me të cilën është përfshirë në një proces bisedimesh në shkëmbim të afrimit me Bashkimin Evropian.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG