Lidhje

SHBA në kundërpërgjigje ndaj Koresë së Veriut


Shtetet e Bashkuara ka dërguar një njësi shtesë të raketave mbrojtëse “Patriot” në Korenë e Jugut, në përgjigje të testit të fundit bërthamor të Koresë së Veriut, si dhe të lëshimit të një rakete me rreze të gjatë. Gjithashtu, një legjislacion i ri amerikan që synon të bllokojë fonde për aktivitetin bërthamor të Koresë së Veriut do t’i paraqitet për firmë Presidentit Obama.

Republikanët dhe demokratët në Kongres miratuan unanimisht këtë javë një legjislacion në kundërpërgjigje të provokimeve të fundit të Koresë së Veriut.

“Korea e Veriut është vazhdimisht në kërkim të mënyrave për të shmangur sanksionet tona. Këto sanksione të reja do të përqëndrohen veçanërisht tek elita e Koresë së Veriut, të cilët kryejnë transaksione nëpërmjet korporatave fantazma për të fshehur gjurmët e tyre. Këta lakej të udhëheqësit koreano-verior vazhdojnë të mbushin xhepat me para, ndërkohë që populli koreano-verior vazhdon të vuajë”, tha kongresmeni demokrat Eliot Engel.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thonë se Presidenti Obama pritet ta miratojë këtë legjislacion të votuar unanimisht nga Kongresi.

Kjo do të jetë dhe masa e dytë brenda një jave që SHBA ndërmerr për të dënuar programin agresiv bërthamor të Koresë së Veriut.

“Vetëm pak ditë më parë, Korea e Jugut mbylli Kompleksin Industrial Aeon, pasi zbuloi që i ofronte Koresë së Veriut financimin që i duhet për programin e saj të armatimit. Ky hap do të mbyllë një burim të rëndësishëm të ardhurash për regjimin koreano-verior. Edhe Japonia po vendos sanksione të reja. Kina dhe Rusia duhet të ndjekin shembullin e saj”, tha Kryetari i Komisionit të Kongresit, për Marrëdhëniet me Jashtë.

Deri më tani, Kina, e cila është vendi kryesor partner i Koresë së Veriut, ka shprehur vetëm “keqardhje” për lëshimin së fundmi të një rakete me rreze të largët.

Nuk është ende e qartë nëse Pekini do të mbështesë sanksionet ndaj Koresë së Veriut.

XS
SM
MD
LG