Lidhje

Sulmohet ambasadori amerikan në Seoul


Sulmuesi i cili qëlloi me thikë ambasadorin amerikan në Korenë e Jugut, ka një histori të dhunës politike

Policia në Seoul po heton motivet e sulmit me thike gjatë të cilit u plagos ambasadori amerikan në Korenë e Jugut të enjten në mëngjes. Policia tha se sulmuesi është një koreanojugor i cili kishte sulmuar ambasadorin e Japonisë pesë vjet më parë.

Ambasadori amerikan në Korenë Jugore, Mark Lippert u godit me thikë në fytyrë të enjten në mëngjes derisa po merrte pjese në një forum mbi ripajtimin korean, që po mbahej afër ambasadës amerikane.

Yoon Myung-sung, shefi i policisë së qarkut Jongno në Seoul, ku ndodhi sulmi, u tha gazetarëve se sulmuesi është një veprimtar politik i Koresë së Jugut.

Ai tha se në orën 7:40 të mëngjesit ambasadori amerikan që ishte ftuar të merrte pjesë në këshillin Korean për ripajtim e bashkëpunim në një veprimtari artistike, u sulmua nga Kim Ki-jong.

I dyshuari 55 vjeçar, ishte anëtar i grupit nikoqir të ngjarjes. Këshilli Koran për ripajtim e bashkëpunim konsiderohet si grup i moderuar jopolitik që nxitë bashkimin paqësor të të dy Koreve. Mediet në Korenë e Jugut thanë se i dyshuari është një veprimtar politik dhe një ultra nacionalist që kundërshton stërvitjet e përbashkëta ushtarake ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së jugut, që janë duke u zhvilluar aktualisht.

Derisa po sulmonte ambasadorin, thuhet se ai kishte brohoritur “Koreja e Jugut dhe e veriut duhet te ribashkohen”.

Policia tha se Kim ishte arrestuar në vitin 2010 për sulm me mjete të forta ndaj ambasadorit japonez dhe për këtë ishte dënuar me dy vjet heqje lirie me kusht.

Kim ishte me veshje tradicionale koreane në kohën kur sulmoi ambasadorin Lippert me një thikë të gjatë 25 centimetra. Njerëzit që ndodheshin afër ndërhynë për të mbrojtur ambasadorin, ndërsa oficerët e sigurisë arrestuan sulmuesin. Polica tha se ende po heton motivet e krimit.

Në pamjet nga vendi i ngjarjes shihet ambasadori 42 vjeçar duke i rrjedhur gjak nga fytyra dhe me plagë të dukshme në dorë. Megjithatë ai doli nga salla pa u mbajtur nga njeri dhe u dërgua në një spital afër.

Departamenti amerikan i shtetit në një komunikatë tha se ambasadori Lippert është një gjendje të qëndrueshme dhe plagët nuk janë të rrezikshme për jetën.

Zëdhënësi I ministrisë së jashtme të Koresë së Jugut, Noh Kwang-il, e cilësoi sulmin të papranueshëm, të dëmshëm dhe krim shumë serioz kundër të dërguarit të aleatit më të rëndësishëm të Koresë së Jugut.

Ai tha se qeveria do të marrë të gjitha masat për të ofruar siguri për diplomatët dhe misionet diplomatike në Korenë e Jugut.

Ministria e mbrojtjes e Koresë së Jugut tha se sulmi nuk do të ndikojë në stërvitjet e përbashkëta ushtarake ku po marrin pjesë mijëra trupa amerikane dhe jugkoreane e të cilat synojnë përgatitjet për ndonjë sulm të mundshëm nga Koreja e Veriut.

XS
SM
MD
LG