Lidhje

SHBA, Koreja e Jugut nënshkruajnë marrëveshje financiare për trupat amerikane


Zyrtarët amerikanë dhe koreano-jugorë nënshkruan një marrëveshje afatshkurtër të dielën për të rritur kontributin e Koresë së Jugut për mbajtjen e trupave amerikane në gadishull, pasi një marrëveshje e mëparshme skadoi, ndërkohë që Presidenti Donald Trump kishte thënë se Seuli duhet të paguante më shumë për praninë amerikane atje.

Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut nënshkruan një marrëveshje të re të dielën e cila rrit sasinë e fondeve që Seuli duhet të paguajë për të pasur trupa amerikane në vend.

Sipas marrëveshjes së re njëvjeçare, Koreja e Jugut do të paguajë rreth 890 milionë dollarë, apo 60 milionë dollarë më shumë se vitin e kaluar.

"Qeveria amerikane e kupton se Koreja e Jugut bën shumë për aleancën tonë dhe për paqen dhe stabilitetin në këtë rajon. Marrëveshja është vetëm një pjesë e vogël e kësaj, por është një pjesë e rëndësishme. Jemi shumë të kënaqur që konsultimet tona kanë rezultuar në marrëveshje. Mendoj se kjo do të forcojë transparencën dhe do të thellojë bashkëpunimin dhe aleancën tone”, tha Thimothy Betts, zyrtar i Departamentit të Shtetit.

Marrëveshja duhet të miratohet tani nga parlamenti i Koresë së Jugut.

Ndryshe nga marrëveshja e kaluara, e cila zgjati pesë vjet, kjo është planifikuar të skadojë në një vit, praktikisht duke i detyruar të dyja palët të kthehen në tryezën e negociatave brenda disa muajve.

Marrëveshja e re përbën një rritje prej 8.2 për qind të pagesës së Seulit për mbajtjen e 28.500 trupave amerikane në Korenë e Jugut.

Shtetet e Bashkuara kanë pasur një prani të vazhdueshme ushtarake në Korenë e Jugut që nga Lufta e Koresë 1950 - 1953.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG