Lidhje

SHBA: Emërimi i anëtarit të Gjykatës së Lartë


Anëtari i Gjykatës së Lartë i emëruar nga Presidenti Barack Obama, gjyqtari federal Merrick Garland, u bë menjëherë fokus i një beteje partiake në Senatin e kontrolluar nga republikanët, ku ende është në pikëpyetje nëse do të merret në konsideratë. Republikanët vazhdojnë të kenë qëndrimin se duhet të jetë presidenti i ardhshëm që do të zgjedhë zëvendësuesin e gjykatësit Scalia, i cili vdiq muajin e kaluar.

Javë të tëra pasigurie përfunduan dje me nominimin nga Presidenti për anëtar të Gjykatës së Lartë të gjykatësit të Gjykatës së Apelit të Distriktit të Uashingtonit, Merrick Garland:

“Përzgjodha dikë që njihet si jo vetëm një nga mendjet më të mprehta të Amerikës, por edhe si një person i njerëzishëm, modest, me integritet, i drejtë dhe me cilësi të shkëqyera.”

“Ky është nderi më i madh i jetës sime, përveç kur Lynn vendosi të bëhej bashkëshortja ime 23 vjet më parë.”

I konsideruar si një gjykatës i moderuar, zoti Garland ka shërbyer në gjykatat federale për gati dy dekada:

“Besnikëria ndaj kushtetutës dhe ligjit ka qenë themeli i jetës time profesionale dhe përkufizon llojin e gjykatësit që jam munduar të jem për 18 vite. Besimi se bëhet drejtësi në gjykatat tona pa paragjykim dhe me paanshmëri, është ajo ç’ka e dallon këtë vend nga të tjerët.”

“Thjesht u kërkoj republikanëve në Senat ta marrin në konsideratë me paanshmëri.”

Krerët e maxhorancës në Senat u përgjigjën menjëherë:

“Pikëpamja jonë është që t’i jepet mundësia popullit në përcaktimin e nominimi.”

Shumica e republikanëve refuzuan sërish të marrin në konsideratë në nominim të Presidentit Obama në vitin e fundit të presidencës së tij:

“Senati do ta rimarrë në konsideratë këtë çështje kur presidenti i ardhshëm të bëjë emërimin e tij.”

Sidoqoftë, demokratët po vazhdojnë presionin ndaj republikanëve:

“Shpresoj se do të bëjnë detyrën e tyre kushtetuese duke zhvilluar një seancë dëgjimore për të nominuarin e Presidentit Obama dhe në vazhdim të votojnë.”

Analistët ligjorë thonë se zoti Garland është një zgjedhje strategjike për shkak të ndasive partiake në Uashington:

“Kur përballesh me një klimë të tillë, është shumë e rëndësishme të kesh një propozim konsensual. Nuk është surprizë për njerëzit e profesionit ligjor.”

Partitë e opozitës gjithnjë kanë synuar të vështirësojnë emërimet gjyqësore të presidentit.

Zoti Garland mendohet të shkojë në Capitol Hill në ditët e ardhshme. Por, shumica e republikanëve të Senatit refuzojnë të takohen me të.

XS
SM
MD
LG