Lidhje

Obama nënshkroi ligjin e ri të përgjimeve


Ligji i miratuar nga senati parasheh që kompanitë private të telekomunikimeve të mbledhin e ruajnë regjistrimet telefonike në vend të Agjencisë Kombëtare të Sigurisë

Presidenti Barack Obama nënshkroi ligjin për reformimin dhe rifillimin e mbledhjes së të dhënave nga bisedat telefonike, që kishte skaduar më herët gjatë javës.

Presidenti tha se “akti i lirisë mbron liritë e qytetarëve dhe sigurinë kombëtare”.

Ligji parasheh që kompanitë private të telekomunikimeve të mbledhin e ruajnë regjistrimet telefonike në vend të Agjencisë Kombëtare të Sigurisë. Autoritetet federale duhet të kenë një urdhër gjykate për të shqyrtuar regjistrimet dhe kontaktet e mundshme me terroristë të identifikuar apo të dyshuar.

Më herët të martën, Senati votoi masat me 67 vota për dhe 32 kundër dhe i dërgoi ato tek presidenti Obama, pas disa ditë debatesh intensive mbi mbrojtjen e sigurisë kombëtare dhe të lirive qytetare.

Ligji kishte përkrahje të fuqishme të demokratëve, por ndau shumicën e republikanëve, disa prej të cilëve kërkonin ripërtëritjen e programit dikur të fshehtë, që u zbulua nga ish kontraktori i Agjencisë Kombëtare të Sigurisë, Edward Snowden, i cili ndodhet në arrati.

Udhëheqësi i shumicës republikane, Mitch McConnell nga Kentucky, tërhoqi vërejtjen për një Amerikë më pak të sigurt, ndërsa votimin e cilësoi si “fitore të bujshme të atyre që aktualisht komplotojnë kundër atdheut tonë”.

Edhe senatorja Susan Collins, kundërshtoi ligjin.

Unë vërtetë dyshoj që dikush mund të argumentojë që të dhënat telefonike do të jenë më të mbrojtura në duart e një mijë e 400 kompanive telefonike dhe 160 operatorëve sesa në të dhënat e sigurta të Agjencisë Kombëtare të Sigurisë ku vetëm 34 punonjës federal të zgjedhur me kujdes dhe të stërvitur janë të lejuar që të shqyrtojnë të dhënat nën mbikëqyrjen e gjykatësve federal”, tha ajo. “Sistemi i ri do të jetë më pak efektiv, sepse nuk ka absolutisht asnjë garanci se të dhënat do të ruhen nga kompanitë e telekomunikimeve”.

Por senatori demokrat Patrick Leahy nga Vermonti, që kishte ndihmuar hartimin e ligjit, i cilësoi masat si një “hap përpara, sepse qartazi ne po mbrojmë privatësinë e individëve”.

Ky ligj dëshmon se privatësia jonë nuk është dhe nuk duhet të konsiderohet kurrë se është në konflikt ,e sigurinë tonë. Privatësia jonë është në fakt, pjesë e sigurisë sonë”, tha senatori republikan Mike Lee nga Utah, bashkautor i ligjit.

Industria kombëtare e telekomunikimeve nuk ka komentuar publikisht ligjin. E kontaktuar nga Zëri i Amerikës, kompania e tretë në vend, Sprint, refuzoi të komentojë ligjin.

Ish zyrtarë amerikan të zbulimit thonë se mbledhja e të dhënave, paraqet një mjet të rëndësishëm të përpjekjeve për mbrojtjen e sigurisë kombëtare amerikane, që do të ndikohet nga “akti i lirisë”.

“Fakti që kjo do të bëhet nga kompanitë telefonike në vend të Agjencisë Kombëtare të Sigurisë, nënkupton që qeveria realisht nuk ka kontroll”, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës, ish drejtori i CIA-s James woolsey.

XS
SM
MD
LG